2008-12-26 15:14:13

365 ditë: "Për Nënë Terezën, ashtu si për Hyjin, nuk ekzitojnë të paprekshmit".


(26.12.2008 RV)E shtrirë në mes të rrugës, një vajzë e re indiane po jep shpirt. Është tepër e sëmurë e prandaj nuk ka më forcë as të ngrihet në këmbë. Rreth saj njerëzit shkojnë e vijnë pa e vërejtur fare atë që ndodh pranë tyre. Kalkuta është qytet vigan e rrugët e tij vlojnë nga njerëzit. E megjithatë, vajza që po vdes, nuk i kërkon ndihmë askujt. E askush nuk e merr mundimin të ndalohet e ta ndihmojë. Të jenë kaq mizorë këta njerëz? Jo, nuk është çështje mizorie. Kjo grua i përket atyre, që në Indi quhen ‘të paprekshëm’. Në fenë hinduiste, të paprekshmit janë qeniet më të neveritshme, por në se do të sillen mirë sa janë gjallë, pas vdekjes do të ringjallen në kushte më të këndshme: do të jetojnë një jetë tjetër e do të bëjnë pjesë në një nga kastat. Prandaj vajza, që po vdes në mes të rrugës, nuk kërkon ndihmë... s’ia vlen të luftosh kundër fatit, që të ka bërë të lindësh në mes të atyre, të cilët s’i prek njeri me dorë, sepse më të neveritshmit. Papritmas një grua evropiane, me fytyrën e rrudhur e me sytë plot dritë, përkulet mbi të. Është veshur me petkun e grave indiane, një sari i bardhë me buzë blu. E sëmura dallon edhe një kryq të vogël në supin e gruas. Nuk e di ç’është: s’ka dëgjuar kurrë të flitet për Jezusin.
E ja që Nënë Tereza (kështu quhet murgesha shqiptare, misionare në Indi) e ngre ngadalë të sëmuren dhe e mbart në krahë ndërmjet turmës. Vajzës i bie të fikët.
Kur i hap përsëri sytë, e shikon veten të shtrirë në një krevat të pastër, të rrethuar nga të sëmurë të tjerë. Disa gra indiane, veshur edhe ato me sari bardh e blu, kalojnë ndërmjet krevateve. Janë Misionaret e Bamirësisë, urdhër i themeluar nga Nënë Tereza për të ndihmuar të varfërit. I mbledhin nëpër rrugë njerëzit, që janë në prag të vdekjes dhe e i sjellin në këtë shtëpi. Pastaj bëjnë gjithçka munden, për t’i shëruar, sepse besojnë që çdo jetë njerëzore është e çmuar: për të krishterët kastat nuk ekzistojnë. Shpesh të sëmurët janë në gjendje shumë të rëndë e nuk mund të përmirësohen. Por të paktën vdesin me dinjitet në kushte njerëzore.
Vajza, e mrekulluar, kërkon Nënë Terezën:
“Pse e bën këtë? “ – e pyet.
“Pse të dua e edhe Zoti të do!”.
Vajza pëshpërit me një fije zëri:
“Ma përsërit, të lutem! Është hera e parë që i dëgjoj këto fjalë!”.
Në fillim Nënë Tereza nuk e pati aspak të lehtë të pranohej nga hinduistët e Kalkutës. Por, kur vdiq, më 1997, në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeçare, salikimet e saj u ndoqën nga miliona indianë të të gjitha kastave, që kishin arritur, më në fund, t’i përgjigjeshin dashurisë së saj, me të njëjtën dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.