Mesazhi Urbi et Orbi i Benediktit XVI: "Drita e Betlehemit u përhaptë në Tokën Shenjte,
në Afrikë e ndriçoftë atje ku sundon egoizmi!".
(25.12.2008 RV)“Hiri i Hyjit tonë
Shëlbues iu duk të gjithë njerëzve”. “Jezusi lindi për të gjithë”, uroj që çdo njeri
të provojë pushtetin e hirit shëlbues të Hyjit, i vetmi që mund ta shndërrojë të keqen
në të mirë, i vetmi që mund ta ndërrojë zemrën e njeriut e ta bëjë oazë të paqes.
Drita e Foshnjës së Betlehemit ndriçon edhe dramat e vendeve të tronditura thellë
nga luftërat e varfëria. Është gëzimi dhe shpresa e Benediktit XVI, që kumboi në Meshën
Shenjte të Natës së Krishtlindjes e u përsërit edhe në Mesazhin drejtuar Romës e Botës,
shqiptuar sot në mesditë nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit. Papa bëri një
thirrje të fuqishme për paqe në Tokën Shenjte dhe në disa vende të Afrikës, që vijojnë
të vuajnë prej shumë kohe. Por, t’i dëgjojmë së bashku disa nga fragmentet më domethënëse
të Mesazhit papnor: Në botën tonë me fuqinë e ligështitë e veta, me progresin
e krizat, shpresat e ankthet sot u duk hiri i Hyjit Shëlbues. Festa e Krishtlindjes
– pohon Papa në mesazhin drejtuar Qytetit të Romës e mbarë Botës - u ndriçua nga një
vezullim që e bëri natën ditë. Është drita e Krishtit Fëmijë, dritë që, duke u dukur,
davarit mjegullën, ndriçon errësirën. E Ati i Shenjtë, duke kujtuar këtë Dritë, që
është vetë Krishti, lutet ta provojnë popullsitë e shumta, të cilat vijojnë të jetojnë
në errësirën e në hijen e vdekjes:
“Uroj që Drita hyjnore e Betlehemit
të përhapet në Tokën Shenjte, ku duket se horizonti po errësohet sërisht për izraelitët
e palestinezët; të përhapet në Liban, në Irak e kudo në Lindjen e Mesme, duke i bërë
të frytshme përpjekjet e atyre, që nuk dorëzohen para logjikës së mbrapshtë të konfliktit
e të dhunës, por zgjedhin rrugën e dialogut e të bisedimeve, për të shuar tensionet
e brendshme të vendeve të ndryshme e për të gjetur rrugëzgjidhje të drejta e të qëndrueshme
për konfliktet që trondisin mbarë zonën”. Hiri i Hyjitu
duk me mish e gjak, e tregoi fytyrën e vet, duke ndriçuar historinë e njeriut. Kjo
dritë e Betlehemit - uroi Papa – ndriçoftë edhe tokat e martirizuara të Afrikës:
“Këtë
Dritë që shndërron e përtërin e dëshirojnë me gjithë zemër banorët e Zimbabves, në
Afrikë, të shtrënguar prej shumë kohe në morsën e një krize politike e shoqërore që,
për fat të keq, vijon të bëhet gjithnjë më e rëndë; ashtu si dhe burrat e gratë e
Republikës Demokratike të Kongos, posaçërisht të zonës së martirizuar të Kivusë, në
Darfur të Sudanit, e të Somalisë, ku vuajtje të pafundme pasojnë mungesën e stabilitetit
e të paqes”. E presin këtë dritë – shpjegoi Ati i Shenjtë –
posaçërisht fëmijët e të gjitha vendeve, që kalojnë periudha të vështira, e presin
që t’u rikthejë shpresën e së ardhmes. Drita e Krishtlindjes – uron Ati i Shenjtë
– ndriçoftë me frymën e solidaritetit të vërtetë çdo vend e çdo zemër:
“Atje
ku shkelen dinjiteti e të drejtat e njeriut, ku egoizmi personal ose i grupeve zotëron
mbi të mirën e përbashkët, ku ekziston rreziku që njerëzit të mësohen me urrejtjen
vëllavrasëse e me shfrytëzimin e njeriut prej njeriut; ku luftërat e brendshme përçajnë
grupe e etni e trondisin bashkëjetesën; ku terrorizmi vijon të godasë, ku mungon
edhe çka është e domosdoshme për të jetuar; ku shikohet me shqetësim ardhmëria, që
po bëhet gjithnjë më e pasigurtë, edhe në Kombet e mirëqenies, atje ndriçoftë Drita
e Krishtlindjes e u dhëntë zemër të gjithëve të kryejnë detyrën që u takon, me frymën
e solidaritetit të vërtetë!”. Në
banesën e përvujtë të Betlehemit e takuan vetëm pak njerëz, por Jezusi erdhi për të
gjithë njerëzit, për çdo krijesë:
“Por duhet që çdo njeri ta
pranojë, t’i thotë ‘po’, ashtu si i tha Maria, që zemra t’i ndriçohet nga një rreze
e kësaj drite hyjnore”. Duhet ta dëgjojmë
Jezusin akoma Foshnjë, që duket sikur na thotë:
“Mos kini frikë, “Unë
jam Hyji e nuk ka të tjerë përposë meje! Ejani tek unë, burra e gra, popuj e kombe,
ejani, mos kini frikë: erdha t’ju sjell dashurinë e Atit, t’u tregoj udhën e paqes!". Atë
natë Fjalën e mishëruar e pranuan Maria e Jozefi, që e pritën me dashuri, e barinjtë,
që ruanin grigjët aty pranë. Edhe sot – vëren Ati i Shenjtë - Hyjin, që për dashuri
u bë vëllau ynë, e takojnë ata, të cilët e pranojnë dhe e kërkojnë: ata që e kërkojnë
me zemër, që dëshirojnë t’ia njohin fytyrën e të ndihmojnë për ardhjen e Mbretërisë
së tij. Do të na e thotë vetë Jezusi në predikimin e tij: janë skamnorët në shpirt,
ata që qajnë, që janë të butë, që kanë uri e etje për drejtësi, të mëshirshmit, që
e kanë zemrën e pastërt, që punojnë për paqen, që salvohen, pse bëjnë çka thotë Zoti.
“Këta
njohin në Jezusin fytyrën e Hyjit e rinisen, si barinjtë e Betlehemit, me zemër të
përtërirë nga gëzimi i dashurisë së Tij”.
Të shkojmë, pra, vëllezër!
Të shpejtojmë, ashtu si barinjtë në natën e Betlehemit. Zoti erdhi tek ne e na tregoi
fytyrën e tij, të pasur me hir e me mëshirë:
“Mos të jetë e
kotë për ne ardhja e Tij. Ta kërkojmë Jezusin, të na ndriçojë drita e tij, që davarit
nga zemra e njeriut trishtim e frikë: t’i afrohemi me besim e të përkulemi përvujtërisht
për ta adhuruar. Për shumë vjet Krishtlindjen të gjithëve!”.
Në
përfundim të Mesazhit Urbi et Orbi, sipas taditës, Papa bëri urimet e Krishtlindjes
në gjuhë të ndryshme, sivjet në 64 të folme të botës e edhe në gjuhën shqipe, urim
me të cilin e hapëm edhe programin tonë të sotëm, për të kumtuar, në fund, në gjuhën
latine, Lajmin e Mirë: “Apparuit gratia Dei Salvatoris nostri omnibus hominibus”
- “Iu duk të gjithë njerëzve hiri i Hyjit tonë Shëlbues”.