2008-12-25 19:14:37

365 ditë: "Gjoni XXIII , Papa i mirë".


(25.12.2008 RV)28 tetor 1958. Turma në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë bëhet gjithnjë më e dendur. Pret emrin e Papës së ri, pasardhësit të Piut XII.
Dhjetë herë me radhë nga oxhaku i Pallatit të Vatikanit ka dalë tym i zi, shenjë që tregon se kardinajtë nuk janë ende një mendjeje.
Papritmas dikush tregon me gisht oxhakun prej nga, më në fund, del tymi i bardhë, aq i pritur. Roma ka ipeshkvin e ri! Bota katolike, papën. Kur turma merr vesh emrin e kardinalit të zgjedhur, mbetet krejtësisht e habitur. Kush është ky Engjëll Ronkali? Nuk ishte fare në listën e kardinajve të famshëm, atyre që mendohej se mund të bëheshin papë, të uleshin mbi fronin e Shën Pjetrit. Kur një figurë e rrumbullaktë duket në ballkonin mbi Sheshin e Shën Pjetrit, turma e shikon me mosbesim. Papa i ri duket njeri tepër i thjeshtë e nuk është aspak i ri. Anxhelo Ronkali vjen nga një familje fshtarësh e tashmë i ka kaluar shtatëdhjetë e shtatë vjetët. Njerëzit, shtypi, bota mbarë, mendojnë se është papë kalimtar, i zgjedhur sepse nuk u gjet një tjetër, më i mirë. Por gabohen, e rëndë...
Gjoni XXIII i çudit shumë shpejt të gjithë. Nuk duket se i vë rëndësi ceremonive që rrethojnë personin e tij e sillet me një natyrshmëri çarmatosëse. Një ditë prej ditësh paraqitet në L’Osservatore Romano, gazetë zyrtare e Vatikanit, për të përtëritur gjuhën artificiale të gazetarëve. Mjaft më me shprehje si ‘i ndriçuari Ati i Shenjtë’, ose ‘buzët auguste të papës sovran’. Gjonit XXIII i pëlqen thjeshtësia. Tani e tutje duhet thënë “papa tha këtë e këtë tjetrën e mjafton me kaq, pa shprehje të përfryra të zbrazta, që të mërzisin”.
Papa kërkon të kuptohet nga të gjithë. Shkon t’i takojë fëmijët e shtruar në spital për Krishtlindje; bisedon shtruar me kopshtarët e me punëtorët e Vatikanit. Shumë shpejt, me thjeshtësinë e ëmbëlsinë e tij, fiton zemrat e të gjithëve, popullit e besimtarëve, të cilëve u prin si kryebari, Për të, “papa është bariu i mirë, që çon përpara misionin e vet; e ky mision është të përhapë kudo mirësinë”.
Me sjelljen e veprimtarinë e tij, Gjoni XXIII dëshiron t’i japë një frymëmarrje të re Kishës. Më 25 janar 1959 njofton se do të mbledhë një koncil për të rinuar fytyrën e Kishës. Projekti i Koncilit II të Vatikanit është vetëtimë në qiell të kthjelltë. Por kjo s’ka pikë rëndësie për Gjonin XXIII, që nuk i tutet vërejtjeve. E kur i thonë se koncili mund të hapet vetëm më 1963, për shkak se duhen përgatitje të gjata e të domosdoshme, përgjigjet: “E po mirë, do të thotë se do ta hapim më 1962!”.
Dhe e mban premtimin!





 







All the contents on this site are copyrighted ©.