2008-12-24 16:11:20

U përkujtua sot, Shën Irmina e Trevirit, virgjër


(24.12.2008 RV)Shenjtja lindi në Treviri e jetoi ndërmjet shekujve VII e VIII. Nga arkivi i Ehternah (Gjermani) mësojmë se Irmina qe bamirësja e Shën Vilibrordos, misionarit të madh e Apostullit të viseve veriore të Evropës, të cilit i bëri disa herë dhurata me rëndësi për kryerjen e misionit të tij. Në vitet 697-698 i dhuroi vilën e Ehternahut së bashku me Kishën e me kuvendin e vogël, të cilat i kishte trashëguar nga pasuria e familjes.
Më 1699 i bëri dhuratë vilën pranë Tolbak e më pas edhe atë të Shtanhaim si dhe një vreshtë pranë Trevirit. Në Martiriologun Romak lexojmë edhe shumë lajme të tjera për Shenjtoren, të gjetura në dokumentin e lashtë “Karta e Dagobertit”, shkruar në vitin 646, nga i cili mësojmë se ishte e bija e Dagobertit, mbret meroving, bir i Klotarit II.
Në një dokumet tjetër, pak i besueshëm, shënohet se është e motra e Shën Adeles së Pfalzel, festa e së cilës kremtohet në të njëjtën ditë me atë të Irminës, më 24 dhjetor.
Kjo datë duket në Kalendarët e dioqezës së Trevirit që në shekullin XI.
Emri Irmina, me origjinë të qartë gjermanike, rrjedh nga emri i lashtë ‘Irmin’ që do të thotë ‘grua e fortë e e pushtetshme’ dhe ‘e kushtuar zotit Irmin’, perëndi e besimeve të lashta gjermanike.







All the contents on this site are copyrighted ©.