2008-12-24 16:13:57

Shpella e parë e Betlehemit dhe vijimi i traditës


(24.12.2008 RV)Shpella e Betlehemit, siç e shikojmë të realizuar edhe sot, sipas traditës, nis me Shën Françeskun. Varfanjaku i Asizit pati dëshirë ta rijetonte si të ndodhte atë ditë, skenën natyrore të Lindjes së Krishtit në Betlehem. Në vitin 1223, në Greçio, fshat që ndodhet në krahinën italiane të Umbries, e pasuroi për herë të parë Meshën e Natës së Krishtlindjes me një Shpellë të gjallë Betlehemi, ngjarje që më pas u pikturua me mjeshtri të rrallë nga Xhoto në Bazilikën e sipërme të Asizit.
Vepra e realizuar nga Shën Françesku u quajt Presepio, ose Presepe, fjalë latine që do të thotë stallë ose grazhd. Disa studiues italianë e të huaj mendojnë se nuk ishte Shën Françesku njeriu i parë që u kujtua të ringjallte skenën e lashtë të Betlehemit. Siç na rrëfen Toma nga Çelano, biograf i Shenjtit, në vitin 1222 Françesku i kremtoi Këshndellat në Betlehem, ku ndoqi funksionet liturgjike të lindjes së Jezusit. U mahnit aq shumë, sa, një t’u kthyer në Itali, i kërkoi leje papës Onori III t’i përsëriste ato skena që kishte parë në lindje - për Këshndellat e ardhshme. Por Papa, duke qenë se dramat kishtare ishin të ndaluara, e lejoi vetëm që ta kremtonte Meshën e natës në një shpellë natyrore, në vend që ta kremtonte në Kishë. Kur erdhi Nata e Shenjtë, te shpella që ishte përgatitur për kremtim, ia behën fshatarët dhe fretërit me pishtarë të ndezur ndër duar. Dukej sikur kishin zbritur gjithë yjet e qiellit në tokë. Brënda shpellës që vendour një grazhd i mbushur me kashtë të freskët e, pranë tij, një ka e një gomar. Françesku, që nuk ishte meshtar, predikoi me frymëzim të zjarrtë para popullit që ishte mbledhur rreth shpellës. Megjithatë nuk mund të themi se kjo ishte një Shpellë e vërtetë Betlehemi, siç e shikojmë sot, domethënë një skenë e Lindjes së Jezusit me tri përmasa, zbukuruar me disa shtatore. Ishte thjeshtë një Meshë e kremtuar në mënyrë të jashtzakonshme në Shpellë, në vend që të kremtohej, si zakonisht, në Kishë.

Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, në Greçio është ngritur galeria e artit me Shpella Betlehemi, skalitur nga artistë me famë nga mbarë bota. Mungon akoma një Shpellë shqiptare Betlehemi.







All the contents on this site are copyrighted ©.