2008-12-24 16:12:09

Në rubrikën ‘Shtigjeve të Krishtlindjes’, brohoria: “Lavdi Zoti në qiell e paqe njerëzve!”.


(24.12.2008 RV)RealAudioMP3 Në Rubrikën ‘Shtigjeve të Krishtlindjes” – sonte koret e engjëjve e të njerëzve këndojnë së bashku: Krishtlindje! Krishtlindje! Lavdi i qoftë Zotit në lartësi të qiellit!

Errësira e natës bëhej gjithnjë më e dendur. Betlehemi ishte tashmë fare pranë. “Besoj se foshnja është duke lindur”, tha me zë të mekur Maria. Jozefi trokiti në portën e një bujtine. Pastaj në një portë, në një tjetër një tjetër akoma... Po për ta nuk kishte vend... aq më pak për një të posalindur, që qan, bën zhurmë, i shqetëson të gjithë! Le të shkonin e të kërkonin gjetiu. ..
“Bëj diçka, sa më shpejt” , ngul këmbë Maria “ po arrin!”.
Jozefi dallon një kasolle bagëtish. Hyn brenda. Shikon një ka e pak kashtë. Frymëmarja e Marisë bëhej dihatje: kishte arritur çasti kur foshnja do të dilte në dritë.
Papritmas era i davariti retë e nata u kthjellua. Në qiellin blu nisën të xixëllojnë ca yje, pastaj ca të tjerë, pastaj miriada e miriada yjesh. Nata u bë si të ishte pika e ditës.
Maria e vuri të posalindurin mbi kashtë e ai nisi të gugasë. Jozefi i vuri menjëherë emrin. E quajti “Yeshua”, që do të thotë Jezus.
Ndërkaq në zonat për rreth barinjtë u zgjuan nga drita e fortë, që rrezatonte nga qielli. Njëri prej tyre u ngjit në maje të një kodre e nisi t’i bjerë fyellit, për të thirrur të tjerët. Dukej sikur muzika kalonte nga një maje tek tjera, duke pushtuar hapësirat e pamata të asaj nate të pazakontë. Në një skaj të kasolles, Jozefi ndezi një zjarr, për të ngrohur Marinë e ferishten. Barinjtë e panë nga larg e u afruan, me delet e me qingjat e tyre në krahë. Foshnja ishte mbështjellë në shpërgënj e ata ia ngulën sytë e tyre të mahnitur.
Era vijonte të frynte e degët e pemëve dukeshin sikur këndonin, sikur donin të përhapnin dalë-nga-dalë një lajm të jashtëzakonshëm.
Për të urtët e astrologët nuk kishte më asnjë dyshim: kjo erë e papritur shkaktohet nga një kometë, kalimin e së cilës e prisnin prej ditësh. Ajo ishte shenja e një ngjarjeje të madhe për njerëzit. Astrologët u nisën për në Jeruzalem. Donin të dinin në se kishte lindur ndonjë pasardhës për fronin mbretëror. Jo, nuk kishte lindur asnjë mbret i vogël. Vijuan atëherë rrugën, deri në Betlehem, e atje morën lajmin e lindjes së djalit të Marisë e të Jozefit. Shkuan ta adhurojnë Foshnjën e i vunë tek këmbët thesaret e tyre: pastaj u nisën përsëri.
Në sa shtegtonin, njëri prej tyre tha: “Thua të jetë e mundur që Hyji të zbresë mbi tokë, me pamjen e një fëmije?” “Në këtë rast duhet të ishte një Hyj tepër i përvujtë, i përmbajtur, që nuk dëshiron ta tregojë pushtetin e tij, e as t’i nënshtrojë njerëzit me forcë” - u përgjigj tjetrit.
E i treti ia priti: “ Në se ekziston me të vërtetë një Zot kësisoji, sa zbulesë e madhe do të ishte kjo për të gjithë njerëzit”.Vijuan, pastaj, udhën në heshtje, ndërsa nga Shpella e Betlehemit përhapej në mbarë gjithësinë jehona e këngës. Këndonin së bashku koret e engjëjve të barinjve: “Lumni i qoftë Zotit në lartësi të qiejve, e paqe në tokë njerëzve që i ka për zemër!







All the contents on this site are copyrighted ©.