“Zoti ka nevojë për fenë tuaj”: mesazh i Papës drejtuar të rinjve të thirrur në Bruksel
nga Bashkësia e Tezesë.
(23.12.2008 RV)Papa inkurajon të
rinjtë, që do të marrin pjesë në takimin ekumenik, organizuar nga Bashkësia e Tezesë.
Sivjet takimi do të mbahet në Bruksel, nga 29 dhjetori deri më 2 janar 2009. Në
qendër të reflektimit, tema “Ndërtimi i Evropës së besimit”. Nis kështu një etapë
e re e shtegtimit të besimit në të ardhmen, organizuar fillimisht 30 vjet më parë
nga Vëllau Rozhe, themelues i Bashkësisë së Tezesë, vrarë në gusht të vitit 2005. Në
një mesazh, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit,
Papa u jep bekimin apostolik të gjithë vëllezërve të Tezesë. Ndërsa 40 mijë të
rinjve, që priten në kryeqytetin belg nga mbarë Evropa e edhe nga kontinentet e tjera,
Benedikti XVI u drejtohet me fjalët: “Zoti ka nevojë për ju, për krijimtarinë tuaj,
për shpirtin tuaj të iniciativës, sepse ju kërkoni burimin e shpresës për vete e
për botën, duke ia hapur zemrën Krishtit me lutje e me dëgjimin e Fjalës së Tij”.
Kështu shkruan Papa e, në vijim, i fton të rinjtë ta komunikojnë shpresën edhe rreth
vetes, duke e vënë jetën e tyre në shërbim të një bote, ku ka tepër mjerim, padrejtësi
e konflikte.Por, si u përgatit Bashkësia e Tezesë për ta jetuar këtë takim të ri?
Në mikrofonin tonë, vëllau Alois, epror i Bashkësisë:
Përgjigje: -
Po, është bërë një përgatitje e kujdesshme. Disa vëllezër shkuan në Bruksel gjatë
gjithë vitit për të përgatitur takimin me famullitë, sepse duhet të kërkojmë si mund
ta shprehin të rinjtë fenë e tyre sot e, sidomos, si mund ta jetojnë në bashkim me
Kishën. Duhet të kërkojmë forma të reja.
Pyetje: - Vëlla Alois,
ne dëgjojmë shumë shpesh lajme të këqija, i shikojmë të rinjtë me syrin e mediave.
Po, ju që jeni gjithnjë në lidhje të drejtpërdrejtë me të rinjtë, me ç’ sy i shikoni?
Sigurisht shikoni një botë tjetër, të ndryshme nga ajo që shikojmë ne, plot dhunë
e padrejtësi…. Përgjigje: - Po, por edhe kur lindi
Krishti, bota kështu ka qenë, plot dhunë e pa paqe. Duhet të mësohemi ta shikojmë
botën ashtu si e shikon Zoti, e atëherë do të vërejmë plot shenja shprese, do të shikojmë
se ka shumë, shumë njerëz, që bëjnë gjithçka munden për paqen.