Krishtlindja është e kremtja e dhantisë që Hyji i dhuron të gjithë banorëve
të Tokës, kështuqë gëzimi i tyre të shkëlqejë si drita ndër terrinat e natës.
Hyji
na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme,
më të bukur: Birin e tij të dashur ! Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! Kjo
dhanti është prova më e madhe e dashurisë që ka për ne Ati ynë që është në qiell.
Betlehemi,
drejt të cilit po shtegtojmë,ndodhet ndër malësitë e Judesë; është
qyteti ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh i Izraelit. Është
edhe qyteti i etërve të Shën Jozefit. Ndryshon shumë nga Jeruzalemi, kryeqyteti krenar
që ndodhet 7 kilometra më në veri të vendit. Jezusi
që lind është shpëtimtari.Fjala shpëtimtar apo shëlbues, përdorej
shumë në atë kohë të largët. E do të përdorej edhe më vonë, deri në ditët tona e në
ditët që do të vijnë... Njerëzit kërkonin, kërkojnë, do të kërkojnë një shpëtimtar...
Edhe perandori romak asokohe quhej “Shpëtimtari”! Po Jezusi nuk është Perandor.
Nuk është shpëtimtar njerëzor! Ai është Mesia, është Zoti!
E
grazhdi? Të gjithë e dinë se ç’do me thënë grazhd: është vendi ku vihet ushqimi
për bagëtitë. Po grazhdi për të cilin po flasim është simbolik, është shtrati i parë
i Jezusit, që lindi i varfër ndërmjet të varfërve. Jezusi i posalindur do ta pushonte
shtatin në një grazhd, sepse për të vend tjetër nuk u gjet. Barinjve u jepet pikërisht
ky shenj, që të mund ta njohin Zotin: “Do të gjeni një fëmijë që prehet në një grazhd”.
E ata shkuan dhe e gjetën. Po sot, ku ndodhet, që të mundemi ta takojmë edhe ne,
që të mundemi ta adhurojmë ?
-Miq, të shpejtojmë hapin udhës së Betlehemit!
Dhantia e Hyjit po vjen përsëri në një grazhd: afrohuni e do ta takoni rishtas Birin
e Hyjit, lindur në varfëri.