(22.12.2008 RV)Vëllau Fransis
ngrihet menjëherë nga vendi. « Ah! ja, arriti Atë Solanus! Mirë se të pruni Zoti në
kuvendin e Shën Bonaventurës! » Portieri i tregon me dorë hyrjen e manastirit ndihmësit
të tij të ardhshëm. «Ky është vendi ku presim vizitorët. Unë qep zhgunat për
të gjithë sivëllezërit e provincës e merrem edhe me pritjen e mysafirëve. Vizitorët
nuk janë të shumtë por, tani që erdhët ju, unë mund të merrem vetëm me zhgunat». Vëllau
Fransis e shikon Atin Solanos me vëmendje, por duke u kujdesur të mos bjerë në sy.
Ka dëgjuar prej kohe të flitet për këtë kapuçin, që është meshtar ‘simplex’, sepse
ka të drejtë të kremtojë Meshën, por jo të rrëfejë, e as të predikojë. Sipas eprorëve
të tij, i mungon zgjuarësia e nevojshme për t’i kryer këto detyra. Ky i Shën Bonaventurës
është i treti kuvend që e strehon kapuçinin. Disa thonë se të jesh portier nuk është
ndonjë detyrë me rëndësi, por Atë Solanus është shumë i kënaqur, madje i kryen detyrat
e veta me entuziazëm. Në të vërtetë kapuçini nuk është portier si gjithë të tjerët.
Në kohën kur priste vizitorë në kuvendin e tij të Nju Jorkut, qe bërë njeri tepër
i njohur e njerëzia vinin nga larg për t’i kërkuar këshilla shpirtërore. Pati një
sukses aq të madh, sa eprorët e larguan, që të mos i rritej mendja e në manastir të
rikthehej qetësia. Në kuvendin e Shën Bonaventurës, Atë Solanus përgjigjet në telefon
e pret vizitorë, ndërsa vëlla Frensis qep zhguna. Por ja që, pas pak kohe, fama e
Atë Solanus merr dhenë. Njerëzit zënë radhën para portinerisë. Këtë herë eprorët
detyrohen ta pranojnë se murgut nuk i rritet aspak mendja e vijon të marrë pjesë rregullisht
në jetën murgare, me të njëjtën sjellje të përvujtë, si gjithmonë. Nuk përfiton nga
suksesi, për të kërkuar të drejtën të rrëfejë, as të predikojë por, për të bërë dëgjesën,
pranon vendimin e eprorëve të mëparshëm. E s’është aspak nevoja që Atë Solanus
të rrëfejë për orë e orë a të predikojë, sepse i mjafton portineria, për të afruar
me qindra zemra tek Krishti. Njerëzit që u takuan me të deri në ditën e vdekjes,
më 31 korrik 1957, janë kaq shumë, sa pa dyshim misioni i tij mbi tokë duhet të ishte
ai i portierit... natyrisht jo i një portieri të zakonshëm... por i portierit të Parajsës.