(21.12.2008 RV)Profeti shenjt Mikea,
në kohën e Jonatamit, Akazit e Ezekielit, mbretër të Judës, me predikimin e tij mbrojti
të shtypurit, dënoi idhujt e padrejtësitë shoqërore e kumtoi se nga populli i zgjedhur
do të lindte në Betlehem të Judës sundimtari i premtuar që nga kohët e lashta, që
do ta sundojë Izraelin me forcën e Zotit. Në kulmin e nëntëditshes së Krishtlindjes,
më 21 dhjetor, Martiriologu Romak vendos kujtimin e Shën Mikesë profet, që radhitet
ndërmjet profetëve të vegjël të Besëlidhjes së Vjetër, sepse shkrimet e tij janë të
shkurtra, por jo më pak të rëndësishme se ato të profetëve të mëdhenj, si Izaia, që
ishte mësuesi i tij. Nuk është, prandaj më pak i rëndësishëm para syve të Zotit.
E kjo, sepse, së pari, i bëri njeriut një thirrje që përshkon shekujt:
“Me
çka do t’i dal përpara Zotit? - pyet profeti e vijon: Me çka do të përmbysem
para Hyjit, të lartit Perëndi? Do të paraqitem para tij me kurbane, me
mëzorë një vjete? Thua do t’i pranojë Zoti mijërat e
deshëve e krojet e vajit me mijëra e mijëra? O
njeri - vijon thirrja - të është thënë ç’ është e mirë e çka lypë Zoti
prej tejet: të shtiesh në punë drejtësinë, në zemër të kesh
mëshirën, të ecësh përvujtërisht me Zotin tënd”. (6, 6-8)
Po
krishterimi vë theksin mbi një fragment tjetër të shkrimeve të Mikesë, që paraflet
ardhjen e Mesisë:
“E ti Betlehem i Èfrata, më
i vogli ndër fise të Judës, prej tejet do të dalë ai, të cilit
do t’i përkasë sundimi i Izraelit ... Për ketë arsye Hyu ka për ta lënë
nën thundër të huaj derisá ajo që do të lindë, ka për të qitë
në dritë një fëmijë; Ai ka për të marrë mbi vete sundimin me pushtetin
e Zotit e me madhërinë e emrit të Jahvehit, Hyjit të vet; E
kanë për të jetuar në paqe pse ai tashmë ka për të qenë i madh deri
në kufijtë më të largtit e botëse ai vetë ka për të qenë paqja”. (5,1-3)
Ky
kumtim mesianik rikumboi shtatë shekuj më pas, i ndriçuar nga një ngjarje e re, tepër
e madhe, që ndodhi në kohën e mbretit të mbrapshtë, Herodit. (Mt 2,6). Që asokohe
fjalët e Mikesë profet vijuan të kumbojnë për gjithë të drejtët, si lajm shprese e
gëzimi, duke kumtuar Lindjen në Betlehem të sundimtarit, premtuar që në kohët e moçme,
që do ta sundonte Izraelin me pushtetin e me madhështinë e Zotit.