2008-12-20 15:03:18

Rubrika ‘Shtigjeve të Krishtlindjes".


(21.12.2008 RV)RealAudioMP3 Në rubrikën e sotme ‘Shtigjeve të Krishtlindjes” himni i Marisë: "Punë të mëdha ka kryer i Gjithëpushtetshmi në mua".Maria nuk i kishte mbushur ende të pesëmbëdhjetat, kur qe vendosur fejesa e saj me Jozefin, zdrukthëtarin, pasardhës i një familjeje të shquar, asaj të Davidit, i cili njëmijë vjet më parë kishte qenë mbret i Izraelit. Pas fejesës zyrtare, Maria e Jozefi qenë kthyer secili në shtëpi të vet. Do të jetonin bashkë vetëm pas martese. Atë të shtunë Maria vuri buzën në gaz, kur pa Jozefin, që do të kishte dëshiruar të ulej pranë saj, por kjo gjë nuk lejohej. Më pas nisi leximi i Shkrimit Shenjt. Maria u trondit thellë duke dëgjuar profecinë e Izaisë, që kumtonte me zë të lartë vullnetin e Zotit, duke profetizuar:
“Ja se Virgjëra ka për të zënë në kraharor e ka për të lindur një djalë, të cilin kanë për ta quajtur Emanuel, që domethënë: “Zoti-me-né”.
Maria e kishte dëgjuar shumë herë këtë fragment, por as nëpër mend nuk i shkonte se i përkiste asaj, personalisht. Kur arriti ajo ditë, një lajmëtar i Zotit hyri te ajo e i tha: “Të falem o hirëplote: Zoti është me ty!”.
Si e dëgjoi këtë, vasha u turbullua për fjalë të tij e shkonte duke menduar se çfarë përshëndetjeje mund të ishte ajo. E Engjëlli i tha: “Mos u frikëso, o Marí, përse ti u gjete e pëlqyeshme para Hyjit: ja se ke për të zënë në kraharor e ke për të nxjerrë në dritë një djalë, të cilit ke për t’ia ngjitur emrin Jezus”.
Atëherë Maria i tha Engjëllit: “Si është e mundur? Unë nuk njoh burrë!”.
Ia ktheu Engjëlli: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty, mbi ty do të shtrijë hijen e vet pushteti i të lartit Zot. Prandaj ai që ka për të lindur prej teje, ka për të qenë shenjt e ka për t’u quajtur i Biri i Hyut. Asgjë s’është e pamundur për Hyjin!”.
Por ka gjëra që i madhi Zot - gjithnjë i mirë - nuk dëshiron t’i bëjë, pa pëlqimin e plotë të njeriut. E ka vendime që janë aq të rëndësishme, sa mund të burojnë vetëm nga thellësia e zemrës.
Atëherë Maria tha: “Ja, unë jam shërbëtorja e Tën-Zot, u bëftë mbi mua si është fjala jote!”.
E Engjëlli u largua prej saj.
Pas kësaj dite, dukej sikur asgjë nuk kishte ndryshuar në jetën e Marisë: bënte për ditë të njëjtat punë. Po që kur mbante në kraharor këtë Foshnjë, ndrinte e tëra nga lumturia. Gjithë qenia e saj shprehte gëzimin e jetë së re, që priste të dilte në dritë. Kujtonte copa lutjesh, që i kishte dëgjuar në sinagogë. E i përsëriste e mrekulluar: “Zemra ime madhëron Zotin,
pse sytë i priri mbi përvujtëri të shërbëtores së vet.
Punë të mëdha ka kryer i Gjithëpushtetshmi në mua”.
Me kalimin e muajve, nisi të dukej se së shpejti do të bëhej nënë. Tashti vërente se shumëkush ia ngulte sytë me çudi. Duhet t’ia jepte lajmin një orë e më parë të fejuarit, Jozefit. Vendosi, pra, të shkonte tek ai e t’i tregonte të fshehtën.E gjithë kjo ndodhte rreth vitit 5 të epokës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.