2008-12-20 18:08:12

Reflektim i Atë Federiko Lombardit: “Figura e kumtimi”


(21.12.2008 RV)RealAudioMP3 Një shërbim, që arrin deri në skajet më të largëta të botës e që u përgjigjet shpresave njerëzore e shpirtërore të njeriut të sotëm: kështu e quajti Papa punën e Qendrës Televizive të Vatikanit (QTV), duke u takuar të enjten e kaluar me drejtuesit dhe punonjësit e Qendrës, shoqëruar nga familjarët, me rastin e 25-vjetorit të themelimit. Në emër të tyre, Papën e përshëndeti drejtori i përgjithshëm i QTV-së, Atë Federiko Lombardi i cili sot reflekton mbi rolin e figurës në kumtimin e Ungjillit:

"Në kohën e Krishtlindjes e kuptojmë në mënyrë posaçërisht të thellë lidhjen ndërmjet figurës e kumtimit të shëlbimit. Biri i Hyjit i mishëruar është në të vërtetë figurë e Hyjit të padukshëm e Besëlidhja e Re – siç e lexojmë në Letrën e parë të Shën Gjonit – tregon atë që, siç shprehet ungjilltari “e pamë me sytë tanë”. Gjatë gjithë historisë figura u vu në shërbim të kumtimit të krishterë, duke filluar nga pikturat e para të katakombeve, për të vijuar me ciklet e pafundme të afreskeve e të vetratave të katedraleve, që shërbyen për mësimin dhe lutjen e popullit të krishterë, me shtypjen e gravurave me subjekt ungjillor, të përdorura nganjëherë edhe nga misionarët… deri në kohët tona në të cilat fotografia e televizioni krijuan kulturën e vërtetë, a më mirë të themi, qytetërimin e figurës.
Misioni i Kishës është kumtimi i Ungjillit, është komunikim, prandaj nuk mund të shkëputet sot nga përdorimi i figurës e posaçërisht, i televizionit. Njëzet e pesë vjet më parë, Gjon Pali II vendosi ta pajiste Selinë e Shenjtë me mjetin e vet televiziv e prandaj themeloi Qendrën Televizive të Vatikanit, një strukturë e vogël, por me detyrën misionare “të japë ndihmesën për kumtimin universal të Ungjillit, duke përdorur mjetet e gjuhën tipike të komunikimit televiziv”. Këtë përpiqet të bëjë QTV-ja, duke ndjekur ditë për ditë shërbimin kishtar të Atit të Shenjtë si dhe kremtimet e mëdha liturgjike në qendër të krishtërimit. Benedikti XVI na shprehu përsëri besimin e tij, duke na inkurajuar të bashkëpunojmë me të gjithë ata, që impenjohen në botën e gjërë të komunikimeve shoqërore me të njëjtin shpirt. Televizon për Kishën e për Ungjillin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.