2008-12-19 18:28:00

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Anastasin, Papë.


(19.12.2008 RV)RealAudioMP3 Libri i Papëve e paraqet me origjinë romake. Dimë se i jati quhej Masimo, se ndërtoi bazilikën Kreshenciane në Romë, se luftoi me energji donatizmin në provincat veriore të Afrikës e se ratifikoi vendimet e Koncilit të Toledos të vitit 400, gjatë të cilit disa ipeshkvij galicianë, që kishin dënuar Prishilianin, mbetën në detyrën e tyre, të mbrojtur nga Papa Anastasi.
Ky Papë pati shpirtin e mbrojtësit të madh e guximtar të Kishës kundër të gjithë armiqve të saj. Kështu kujtojmë se luftoi edhe kundër arianizmit dhe mbrojti me guxim të drejtat e Ilirikut për të mbetur i lidhur me Kishën përendimore. Duhet, pra, t’ia dijmë për nder, në se feja katolike romake mbeti gjallë në ato vise, që shumë më vonë do të quheshin Shqipëri veriore. Bashkëpunoi ngushtë edhe me Shenjtin ilir, Jeronimin. Pati një letërkëmbim të dendur me të gjitha personalitetet e kohës, por nga letrat e tij fatkeqësisht shumë pak kanë arritur deri në ditët tona.
Vdiq pas një papnie të shkurtër, por shumë aktive, më 19 dhjetor të vitit 401. U varros në një varr monumental pranë bazilikës së Shën Kandidës. Shën Jeronimi, që pati një nderim të jashtzakonshëm për Shën Anastasin, shkroi se ai vdiq tepër shpejt, sepse provania Hyjnore nuk deshi që një ipeshkëv kaq i madh, të ishte dëshmitar i rënies së Romës.
Kujtojmë se Roma ra në duart e mbretit barbar, Alarikut, në vitin 410.







All the contents on this site are copyrighted ©.