Qëndrimi i Selisë së Shenjtë në OKB lidhur me depenalizmin e homoseksualitetit.
(19.12.2008 RV)Gjashtëdhjetë vende
bënë thirrje dje në OKB, në Nju Jork, për depenalizmin universal të homoseksualitetit.
Deklarata lidhur me këtë kërkesë, u lexua në Asamblenë e Përgjithshme nga ambasadori
i Argjentinës, në emër të Vendeve që e mbështesin, duke përfshirë edhe 27 vendet e
Bashkimit Evropian, të cilat u bënë nismëtare, përmes ministrit francez për të drejtat
e njeriut. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së bëjnë pjesë 192 kombe: rreth gjashtëdhjetë
prej tyre, të kryesuara nga Egjipti, paraqitën një kundërdeklaratë. Selia e Shenjtë
sqaroi qëndrimin e vet, përmes fjalimit të kryeipeshkvit Çelestino Miliore, vëzhgues
i saj i përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara.Së pari kryeipeshkvi Miliore nënvizoi
se Selia e Shenjtë i vlerëson përpjekjet e bëra përmes Deklaratës për të dënuar çdo
formë dhune kundër homoseksualëve, si dhe për t’i nxitur shtetet të marrin masat e
nevojshme që t’i jepet fund të gjitha dënimeve kriminale kundër tyre. Por – shpjegoi
- Selia e Shenjtë vëren se formulimi i këtij dokumenti shkon më përtej qëllimit për
të cilin u hartua e do të krijonte shumë paqartësi juridike, në se do të vihej në
jetë. Teksti, ndonëse dënon me të drejtë të gjitha format e dhunës kundër homoseksualëve
dhe pohon se është detyrë të mbrohen, krijon paqartësi për ligjet dhe vë në diskutim
normat ekzistuese mbi të drejtat e njeriut. Selia e Shenjtë – theksoi kryeipeshkvi
Miliore – vijon të jetë e mendimit se duhet shmangur çdo diskriminim i padrejtë kundër
homoseksualëve, duke i nxitur shtetet t’u japin fund dënimeve kriminale kundër tyre.