2008-12-19 18:03:57

Benedikti XVI Zyrës Vatikanase të Punës: në Krishtlindje, besimtarët të jenë solidarë me njerëzit e prekur nga kriza e punës.


(19.12.2008 RV)RealAudioMP3 Në këtë kohë, kaq afër Krishtlindjes, besimtarët janë të thirrur të jenë solidarë me njerëzit e prekur nga kriza e punës: është nxitja e Benediktit XVI në fjalimin drejtuar anëtarëve të ULSA-s, Zyrës së Punës të Selisë Apostolike, të cilët i priti sot në Vatikan, me rastin e 20-vjetorit të themelimit nga ana e Gjon Palit II. Nëpunësit e Vatikanit – shpjegoi Papa – gjatë punës së tyre duhet të udhëhiqen nga parimet e dashurisë për Kishën, të drejtësisë e të solidaritetit.Kriza, që ka prekur tregun e punës, duke tronditur thellë mbarë njerëzimin, ishte në qendër të mendimit të Papës. Prandaj u bëri thirrje nëpunësve të Vatikanit të jenë solidarë me njerëzit, që kalojnë çaste vështirësish të rënda ekonomike, thirrje me vlerë për gjithë të krishterët:

“Kush ka mundësi të punojë, duhet t’i jetë mirënjohës Zotit e t’ia hapë bujarisht zemrën atij, që nuk e ka këtë mundësi e prandaj kalon çaste të vështira ekonomike. Krishti Fëmijë, që në Natën e Shenjtë të Betlehemit u bë njeri për të qenë pranë nesh në çaste e vështira të jetës, i ndihmoftë ata që janë prekur rëndë nga kriza botërore e ngjalltë në shpirtin e të gjithëve ndjenja të vërteta solidariteti”.

 
Më pas Ati i Shenjtë shpjegoi hollësisht veçantinë e punës në bashkësinë punonjëse të Selisë së Shenjtë, duke theksuar se të gjithë punonjësit formojnë një familje të vetme, sepse i lidh i njëjti mision: të ndihmojnë Pasardhësin e Shën Pjetrit në shërbimin që i bën Kishës universale.







All the contents on this site are copyrighted ©.