2008-12-18 16:52:53

U kremtua sot Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve


(18.12.2008 R.V.)Sensibilizimi i shoqërisë për rëndësinë dhe mbrojtjen e punëtorëve emigrantë. Ky është synimi i Ditës Ndërkombëtare sanksionuar nga Kombet e Bashkuara që u kremtua sot. Kjo ditë na kujton miratimin e Kartës së OKB-së për të drejtat e punëtorëve emigrantë dhe të familjarëve të tyre, që u pat miratuar më 18 dhjetor 1990. Po sot, cila është ndihmesa e emigrantëve në shoqëri? Këtë pyetje ia drejtuam imzot Pierxhorxho Saviolës, drejtor i përgjithshëm i Fondacionit Migrantes:..........RealAudioMP3


Përgjigje: Në planin ekonomik kontributi më i dukshëm për vendin e tyre të prejardhjes është dërgimi i të hollave. Ndërsa përsa i përket emigrantëve, është më se e ditur se në Itali, një vend që po mplaket me shpejtësi, ku mungojnë gjithnjë e më tepër forcat rinore që mund të punësohen, këta punëtorë që vijnë nga larg, janë jo vetëm të dobishëm por edhe të domosdoshëm. Fjala vjen në sektorin e shërbimeve pranë familjeve italiane, si dado etj. Nëse jemi të bindur se një shoqëri e larmishme nga ana kulturore e ndërkulturore sjell avantazhe të mëdha, këtë kalim nga një kulturë e vetme tek pluralizmi kulturor, ia detyrojmë mbi të gjitha emigracionit. Por këto avantazhe nuk vihen re sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Duhet që me guxim dhe largpamësi të hapemi ndaj këtij realiteti të ri. Mbyllja do të ishte jo vetëm izolim, por edhe mungesë vëmendjeje dhe përplasje.

Pyetje: Sa janë, pak a shumë, emigrantët nëpër botë dhe cilat janë zonat ku shpërngulen më shpesh?

Përgjigje: Sipas të dhënave të OKB-së sot janë tejkaluar 200 milionët, që është e barabartë me një të tretën e popullsisë botërore. Por, nëse kemi parasysh se pasojat e emigracionit ndikojnë fuqimisht tek familjarët që mbeten në vendlindje, mund të themi se emigracioni përbën një shifër që e kalon gjysëmn e miliardit të banorëve. Ndërmjet emigrantëve pastaj, duhet t’i kushtohet kujdes edhe atyre që braktisin vendin e vet jo vetëm për arsye ekonomike apo për t’i shpëtuar urisë, por edhe për arsye politike e refugjatëve që ikin – ashtu si Familja Shenjte – për t’i shpëtuar shpatës së shumë “herodëve” të ditëve të sotme. Zonat prej nga ikin këta janë kryesisht vendet e botës së tretë, vendet e varfëra, ku ka uri, ku luftohet për të mbijetuar. Vendet ku shkojnë janë kryesisht ato më të zhvilluarat, si në Evropën perëndimore, në Amerikën veriore dhe në veçanti SHBA-ës.

Pyetje: Si mund të shmanget frika që kemi ndaj atij që është “i ndryshëm” nga ne dhe paragjykimet për “të huajin”?

Përgjigje: Për ne të krishterët gjëja e parë që duhet të bëjmë është të marrim në dorë ungjillin dhe ta çojmë mendjen tek vëllazërimi universal në Krishtin, tek i vetmi Atë Hyjnor, domethënë tek universaliteti i katolicitetit të Kishës. Largimi i frikës dhe si pasojë mikpritja, janë ligje themelore të jetës së krishterë. Kemi një Atë, pra, e kështu që duhet të ndihemi si vëllezër me të gjithë.

Pyetje: Nga këndvështrimi ligjor dhe shoqëror, çka nevojitet për përmirësimin e situatës?

Përgjigje: Realizëm. Duhet të kuptojmë se në një fushë kaq të ndërlikuar si emigracioni, në të cilën duhen bashkërenditur kërkesat dhe vlerat shpeshherë në kundërshtim me njëra-tjetrën, është utopi të presim një legjislacion të përsosur. Gjithnjë do të kemi të bëjmë me një kompromis që nuk do të na kënaqë plotësisht. Natyrisht, mund të bëhen shumë hapa përpara, por me kusht që emigracioni të mos jetë një çështje tek e cila forcat politike kanë mosmarrëveshje, dhe po qe se ulemi rreth një tryeze duke parë jo interesat e njëanshme por edhe interesat e shoqërisë sonë dhe të emigrantëve që kemi përbujtur. Nga pikëpamja shoqërore nevojitet që të jemi më të civilizuar, më njerëzorë më të pavarur nga instrumentalizimet ideologjike dhe politike. Me një fjalë nevojitet autokritikë dhe kthim në fé.







All the contents on this site are copyrighted ©.