2008-12-18 15:51:20

Shtigjeve të Krishtlindjes: të përshpejtojmë përgatitjen e zemrës për t’i bërë vend Zotit që po vjen.


(18.12.2008 R.V.)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar vazhdojmë përgatitjen për Krishtlindje me një mendim të shkurtër e të thjesht shpirtëror. Vetëm edhe 7 ditë na ndajnë nga festa e Lindjes së Krishtit, e këndej duhet të përshpejtojmë përgatitjen e zemrës për t’i bërë VEND ZOTIT që po vjen. Festa e Krishtlindjes na thotë se të gjithë kemi nevojë të kthehemi vazhdimisht tek misteri i Krishtit, që të na hyjë në shpirt deri në atë pikë, sa të mund të themi se jemi vërtetë të krishterë, që do të thotë njerëz të cilët kanë aromën e Krishtit. Koha e Ardhjes që tani po përjetojmë, niset nga Lindja e Zotit, nga ardhja e Jezusit në histori për të hapur brenda kësaj historie, të njollosur nga mëkati, e pushtuar nga errësira, një shteg shpëtimi. Ne e dimë se kjo tashmë ka ndodhur, se Biri i Zotit është mishëruar, është bërë njeri, por shëlbimi nuk ka përfunduar së përmbushuri, shëlbimi pra nuk është kryer, nuk ka përfunduar; shëlbimi Hyjnor ka filluar, si tharm, si fryt i parë. Ne presim kthimin e Jezusit, që të përmbushet shëlbimi Hyjnor, që njerëzimi të çlirohet plotësisht nga pesha e fajit e bota të lirohet nga skllavëria e mëkatit. Ne presim qiej të rinj e tokë të re, ndërsa kujtojmë ardhjen e Jezusit në histori, ndezim kandilin, apo më mirë të themi e mbushim me vaj – për të dalur pastaj të përgatitur si duhet në takim me Zotin që vjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.