2008-12-18 16:49:03

Papa Qendrës Televizive Vatikanase: shërbim i çmuar për bashkimin e kishave dhe për shpresat njeriut të kohëve tona.


(18.12.2008 RV)Një shërbim, që arrin deri në skajet më të largëta të botës e që u përgjigjet shpresave njerëzore e shpirtërore të njeriut të sotëm: kështu e quajti Papa punën e Qendrës Televizive të Vatikanit (QTV-së) duke u takuar sot paradite me drejtuesit dhe punonjësit e Qendrës, shoqëruar nga familjarët, me rastin e 25-vjetorit të themelimit. Në emër të tyre, Papën e përshëndeti drejtori i përgjithshëm i QTV-së, Atë Federiko Lombardi.

Papa shprehu kënaqësinë për shërbimin e QTV-së, që u krijon një numri gjithnjë më të madh besimtarësh, në të katër anët e botës, mundësinë të ndjekin nga afër atë që ndodh në zemër të Kishës, edhe në sajë të bashkëpunimit me jo pak televizione katolike, që transmetojnë filmimet e QTV-së. Ngjarje shpesh me karakter liturgjik:...RealAudioMP3

“Liturgjia është vërtetë kulmi i jetës së Kishës, kohë e vend i lidhjes së thellë me Zotin. Ta ndjekësh ngjarjen liturgjike përmes syrit të vëmendshëm të telekamerës, për t’u krijuar mundësitë e pjesëmarrjes shpirtërore edhe atyre që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm, është detyrë e lartë e impenjative, që kërkon edhe nga ju përgatitje serioze e përkim shpirtëror me ngjarjen e cila – në një farë mënyre – kalon përmes jush”.

 
QTV-ja, e ngritur sipas dëshirës së Gjon Palit II në vitin 1983 – kujtoi Papa - nuk ndiqet vetëm nga besimtarët katolikë, por krijon mundësitë për të informuar mbarë njerëzimin për jetën dhe mësimin e Kishës në botën e sotme, në shërbim të dinjitetit njerëzor, të drejtësisë e të paqes.
Është fjala për një shërbim, që përpiqet të radhitet gjithnjë më shumë në kontekstin e teknologjive të reja të komunikimit:

“Që Kisha të jetë përherë e pranishme me mesazhin e saj ‘në logun e kuvendit’ të komunikimit shoqëror – siç e quante Gjon Pali II – e të mos ndjehet e huaj në hapësirat, ku një numër gjithnjë më i madh të rinjsh vozisin në kërkim të përgjigjeve e të kuptimit të jetës, duhet të kërkoni rrugë për të përhapur në forma të reja, zëra e figura shprese përmes rrjetit telematik, që mbështjell mbarë planetin me hallka gjithnjë më të forta”.

 
Në këtë perspektivë, Papa uroi një përkim gjithnjë në rritje ndërmjet mediave të ndryshme në shërbim të Selisë së Shenjtë. Në përfundim inkurajoi QTV-në të përballojë me besim detyrën e rëndësishme institucionale të arkivimit të figurave të filmuara gjatë viteve, duke i parë si pasuri jo vetëm për prodhimin e programeve televizive aktuale e të ardhshme, por për vetë historinë e Selisë së Shenjtë e të Kishës.

Në përshëndetjen drejtuar Papës, drejtori i QTV-së, Atë Federiko Lombardi shpjegoi ç’është QTV-ja:

“Atyre që pyesin, duhet t’u shpjegojmë se nuk jemi stacion televiziv me program të vetin, por jemi pikërisht Qendër prodhimi, që filmon e vë në shërbim të televizioneve të mbarë botës figurat e veprimtarisë së Atit të Shenjtë, drejtpërdrejtë ose të regjistruara, sipas situatave. U shpjegojmë bashkëbiseduesve tanë se, kur shikojnë në ekranin e vogël Papën në Vatikan, edhe në se janë duke ndjekur RAI-n, Bayrische Rundfunk ose CNN, gati në të gjitha rastet takohen me ne, ndonëse kjo nuk thuhet asnjëherë. Në të vërtetë brenda vitit ne transmetojmë drejtpërdrejtë 230 ngjarje të mëdha dhe arkivojmë rreth 2000 orë regjistrimi".

 
Në audiencë ishte i pranishëm edhe kardinali Xhon Petrik Folej, drejtor i parë i QTV-së, si dhe atë Anton Stefanici, për shumë vjet sekretar i Qendrës".







All the contents on this site are copyrighted ©.