Me 18 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Malakinë Profet
(18.12.2008 RV)Libri i Malakisë
Profet mbyll, në Besëlidhjen e Vjetër, serinë e profetëve të vegjël. Prandaj Malakia
njihet edhe me emrin “Vula e Profetëve”. Pak e aspak dihet për jetën e tij: dimë
se ishte nga fisi i Zabulonit, se lindi në Sofa e se jetoi pas mërgimit babilonez,
gjatë sundimit persian. Libri i tij trajton problemet morale të bashkësisë hebraike,
të cilën e nxit të pendohet.Simbolik fakti se versetet e fundme të Librit të tij,
flasin për një lajmëtar të Zotit, dërguar për të rivendosur marrëdhënie të drejta
ndërmjet Hyjit e popullit të tij. Është një profeci mesianike, që lind në zemrën e
historisë së Izraelit, por që nuk kufizohet në rrethanat që e lindën. Malakia jetoi
disa dekada pas rindërtimit të Tempullit, që duhet të jetë kryer rreth vitit 520 para
Krishtit, pas kthimit të hebrenjve nga mërgimi. Në këtë periudhë patën profetizuar
Agjeu e Xakaria, të cilët i patën ftuar njerëzit të shikonin përpara, sepse rikthimi
i ritit templar shpesh dukej sikur e kishte humbur shpirtin e vet të vërtetë: kremtimin
e dashurisë së Hyjit që vepron në histori. Zëri i Malakisë ngrihet për t’i qortuar
besimtarët për humbjen e interesit ndaj besimit, për vlerësimin e sjelljeve të jashtme,
për largimin nga Hyji e për padrejtësitë e panumërta. Profeti shenjt i fton të gjithë
të përgatiten për takimin me Zotin. Kumt tepër aktual, për këtë periudhë të Kohës
së Ardhjes.