2008-12-17 18:30:36

Lindja e Mesme: nga OKB-ja një rezolutë për paqen


(17.12.2008 RV)Për herë të parë gjatë pesë vjetëve të fundit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë mbi procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Me 14 vota pro e abstenimin e Libisë, u bëhet thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të respektojnë impenjimin e marrë në Anapolis e të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura, për të arritur në marrëveshjen e paqes. Rezoluta inkurajon edhe të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere, që ndihmon bisedimet.
Ndërkaq, gjendja në terren nuk është e lehtë. Militantë palestinezë të Rripit të Gazës kanë hedhur sot paradite nëntë raketa Kasam në territorin izraelit, pas 11 raketave që u hodhën dje. Nuk ka pasur as viktima, as dëme, por tensioni mbetet i lartë, pasi po skadon armëpushimi gjashtë mujor ndërmjet Izraelit e Hamasit. Ky i fundit ka njoftuar se nuk ka ndërmend ta përsërisë atë, por nuk do ta godasë Izraelin, nëse ai nuk provokon. Nuk dihet si do t’u përgjigjet Tel Avivi raketave Kasam, në një klimë presionesh për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, që do të mbahen më 10 shkurt 2009. Juristët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë paralajmëruar se bombardimi kundër atyre, që kanë hedhur raketat do të ishte i paligjshëm, pasi do të vinte në rrezik popullsinë civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.