2008-12-17 18:29:28

Kriza ekonomike: Banka amerikane ul taksat, Opeku zvogëlon prodhimin e naftës


(17.12.2008 RV)Kriza ekonomike vazhdon akoma t’i tregojë dhëmbët në të gjithë botën. Bursat evropiane e nisën sot ditën me humbje. Përfundoi pra efekti i uljes së taksave deri në zero nga ana e Federal Reserve, bankës qendrore amerikane, ndërsa Opeku konfirmoi reduktimin e prodhimit të naftës. Taksat e SHBA-ve janë tani më të ultat e botës, por, siç deklaroi presidenti amerikan Bush, vendi shkon ekonomikisht mbrapa, viktimë e një krize tepër të rëndë. Mbi qëllimet e manovrës së bankës amerikane të dëgjojmë Xhanfranko Viestin, ekonomist i Universitetit të Barit në Itali:
Qëllimi i manovrës është të nxisë si investimet, ashtu edhe konsumin, pasi të ulësh koston e parasë do të thotë të propozosh përdorimin e saj. Por natyrisht, nuk është një çelës magjik, në kuptimin që nuk është vetëm kostoja e parasë ajo që i nxit ndërmarrjet të investojnë, por edhe perspektivat e tregut. Prandaj, duke ulur koston e parasë, synohet kompensimi i prespektivave të tregut, që ndërmarrjet i shohin si të zeza në këtë moment.
Japonia nuk pati rezultate në këtë rrugë…
Eh po: ky është kurthi i likuiditetit. Situata është në dukje paradoksale për ata që po na dëgjojnë: paraja nuk kushton, por askush nuk e do. Pasi të kërkosh para, do të thotë se kjo shërben për diçka, për të blerë makineri, apo shtëpi… Nëse perspektivat janë të tilla, që ndërmarrjet apo familjet nuk blejnë, megjithëse paranë ta japin gati falas, askush nuk e do. Shpresoj të mos biem në këtë gjendje, pasi në atë rast, politika monetare nuk mund të bëjë më asgjë. Të shikojmë se ç’do të ndodhë. Sidomos, të shohim efektin e presidentit të ri amerikan dhe të politikës së tij mbi investimet publike. Kjo mund të ndihmojë, por vërtet, ekonomia botërore lëviz në rrugë të panjohura deri tani.







All the contents on this site are copyrighted ©.