2008-12-17 18:17:14

Krishti është fillesë e jetës së re për njeriun.


(10.12.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,

duke ndjekur Shën Palin, në katekizmin e së mërkurës së kaluar pamë dy gjëra. E para është se historia jonë njerëzore, që nga fillimet e saj, njolloset nga shpërdorimi i lirisë së krijuar, që kërkon të emancipohet nga Vullneti hyjnor. E kështu nuk e gjen lirinë e vërtetë, por i kundërvihet së vërtetës dhe, si pasojë, e shtrembëron realitetin tonë njerëzor. Shtrembëron, posaçërisht, marrëdhëniet kryesore: atë me Zotin, të burrit me gruan e të njeriut me tokën. E kemi thënë se kjo ndotje e historisë sonë përhapet në të gjithë indin e saj e se ky faj i trashëguar shkoi duke u shtuar e tani e shikojmë kudo. Kjo është gjëja e parë. E dyta: nga Shën Pali mësuam se ekziston një fillim i ri në histori, i cili nis prej historisë në Jezu Krishtin, në Atë që është njeri e Hyj. Me Të, që vjen nga Hyji, fillon një histori e re, e formuar nga ‘po’-ja që Ai i tha Atit, e formuar jo nga nga krenaria e një emancipimi të rremë, por nga dashuria e vërtetësia.
Por tani lind pyetja: si mund të arrijë tek unë kjo histori e re? Me historinë e parë të përlyer jemi të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme përmes prejardhjes sonë biologjike, me që të gjithë njerëzit i përkasin të vetmit korp të njerëzimit. Po bashkimi me Jezusin, lindja e re për t’u bërë pjesëtar i njerëzimit të ri, si realizohet? Si arrin Jezusi në jetën time, në qenien time? Përgjigja kryesore e Shën Palit, e gjithë Besëlidhjes së Re, është: Jezusi hyn në jetën tonë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Në se historia e parë fillon , si të themi, me biologjinë, e dyta fillon në Shpirtin Shenjt, Shpirtin e Krishtit të ngjallur. Ky Shpirt, me Rrëshajët, krijoi fillesën e njerëzimit të ri, të bashkësisë së re, të Kishës, Korpit të Krishtit.

Megjithatë, duhet të jemi edhe më konkretë: ky Shpirt i Krishtit, Shpirti Shenjt, si mund të bëhet shpirti im? Përgjigja është se kjo mund të bëhet në tri mënyra, lidhur ngushtë njëra me tjetrën: e para është kjo: Shpirti i Krishtit troket në zemrën time, më prek në shpirt. Por me që njerëzimi duhet të jetë një korp i vërtetë e me që Shpirti Shenjt duhet të na bashkojë e të krijojë një bashkësi të vërtetë, sepse është karakteristikë e fillimit të ri t’u jepet fund përçarjeve e të krijohet bashkimi i të shkapërndarëve, Shpirtit të Krishtit i shërbejnë dy elemente bashkimi të dukshëm: kumtimi i Fjalës së Zotit dhe Sakramentet, posaçërisht Pagëzimi dhe Eukaristia. Në Letrën drejtuar Romakëve Shën Pali thotë: “Po të dëshmosh me gojë se Jezusi është Zoti e po të besosh me zemër se Hyu e ka ngjallur së vdekuri, do të shëlbohesh” (10,9), dmth do të hysh në historinë e re, histori e jetës, jo e vdekjes. Më pas Shën Pali vijon: “Tashti, si mund ta thërresin në ndihmë, në se nuk besojnë më përpara në të? E si mund të besojnë në të, në se nuk kanë dëgjuar të flitet për të? E si mund të dëgjojnë të flitet për të, në se askush nuk do t’ua predikojë? E si mund ta predikojë kush, në se nuk është përpara i dërguar?” (Rom 10, 14-15). Në një fragment tjetër, thotë edhe këtë: “Feja varet nga predikimi e predikimi realizohet nëpër fjalën e Krishtit (Rom 10,17). Feja nuk është prodhim i mendimit tonë, i reflektimit tonë, është diçka e re, që nuk mund ta shpikim, por vetëm ta marrin si dhuratë, si një të re, që vjen nga Zoti. Feja nuk vjen nga leximi, por nga dëgjimi. Nuk është vetëm shpirtërore, por është marrëdhënie, hamendëson një takim, ekzistencën e tjetrit, që e kumton dhe e krijon bashkimin.

E së fundi, kumtimi: ai që kumton, nuk flet për vetveten, por është i dërguar. Është në një strukuturë misioni, që nis me Jezusin e dërguar nga Ati, kalon nëpër Apostujt - vetë fjala apostuj do të thotë ‘të dërguar’ - e vijon me ministerin, me misionin e transmetuar nga Apostujt. Indi i ri i historisë duket në këtë strukturë të misioneve, në të cilën dëgjojmë të flasë vetë Zoti, dëgjojmë fjalën e tij, Biri flet me ne, arrin deri tek ne. Fjala bëhet njeri, Jezus, për të krijuar realisht njerëzimin e ri. Prandaj fjala e kumtimit bëhet Sakrament i pagëzimit, që është rilindje nga uji e nga Shpirti, siç do të thotë Shën Gjoni. Në Kapitullin e gjashtë të Letrës drejtuar Romakëve, Shën Pali flet në një mënyrë shumë të thellë për Pagëzimin: “A nuk e dini ndoshta se gjithsa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Nëpërmjet Pagëzimit u varrosëm në vdekje së bashku me të, në mënyrë që, ashtu sikurse Krishti u ngjall prej së vdekuri për lumni të Atit, ashtu edhe ne të mund të ecim në një jetë të re” (Rom 6, 3-4).

Në këtë katekizëm, natyrisht, nuk mund të hyj në shpjegimin e hollësishëm të këtij teksti jo të lehtë. Dëshiroj të ndalem shkurtimisht mbi tri gjëra. E para “jemi pagëzuar” është një pësore. Askush nuk mund të pagëzojë vetveten, ka nevojë për tjetrin. Askush nuk mund të bëhet i krishterë vetvetiu. Të bëhesh i krishterë do të thotë të kalosh nëpër një proces pësor. Mund të bëhemi të krishterë vetëm përmes një tjetri. E ky ‘tjetri’ që na bën të krishterë e që na jep dhuratën e fesë, është në radhë të parë bashkësia e besimtarëve, Kisha. Nga Kisha marrim fenë, duke nisur prej Pagëzimit. Në se nuk kërkojmë formimin nga kjo bashkësi, nuk mund të bëhemi të krishterë. Krishtërimi i pavarur, i vetprodhuar, kundërshton vetveten. Në radhë të parë, ‘tjetri’ është bashkësia e besimtarëve, Kisha, por në radhë të dytë edhe kjo bashkësi nuk vepron vetiu, sipas dëshirave e ideve të veta. Edhe bashkësia jeton në të njëjtin proces pësor: vetëm Krishti mund ta themelojë Kishën. Krishti është dhuruesi i vërtetë i Sakramenteve. Kjo është pika e parë: askush nuk pagëzon vetveten, askush nuk bëhet i krishterë vetvetiu. Të krishterë bëhemi.

Gjëja e dytë është kjo: Pagëzimi është më shumë se pastrim. Është vdekje e ringjallje. Vetë Pali, në Letrën drejtuar Galatëve, duke folur për kthesën e jetës së tij, që u realizua në takimin me Krishtin e ngjallur, na e përshkruan këtë me fjalën: vdiqa. Në këtë çast nis vërtetë një jetë e re. Të bëhesh i krishterë është shumë më tepër se një operacion kozmetik, që mund t’i shtojë diçka të bukur një ekzitence pak a shumë të plotë. Është një fillesë e re, është rilindje, vdekje e ringjallje. Natyrisht në ringjallje ridel në dritë gjithçka që ishte e mirë në jetën e mëparshme.

 

Së treti: edhe materia bën pjesë në Sakrament. Krishterimi nuk është realitet pastërtisht shpirtëror. Ka të bëjë edhe me korpin. Ka të bëjë me kozmosin. Shtrihet drejt tokës së re e qiejve të rinj. Të rikthehemi tek fjala e fundit e tekstit të Shën Palit, që thotë: “Kështu mund të ecim në një jetë të re”. Ky element na nxit të gjithëve të shqyrtojmë ndërgjegjen: të ecim në një jetë të re. Kaq për Pagëzimim.

Të kalojmë tashti tek Sakramenti i Eukaristisë. Në katekizmat e kaluara theksova me ç’ respekt të thellë e transmetoi Shën Pali traditën mbi Eukaristinë, të cilën e mori nga vetë dëshmitarët e natës së mbrame. I transmetoi këto fjalë, si një thesar të çmuar që i qe besuar, për ta ruajur besnikërisht. E kështu në këto fjalë dëgjojmë realisht dëshmitarët e natës së mbrame. Dëgjojmë fjalët e Apostullit: “Çka ju mësova, e mora drejtpërdrejtë nga Zoti, domethënë se Jezu Krishti, Zoti ynë, shi në atë natë, në të cilën po tradhtohej, mori bukën, u fal nderës, e theu e tha: ‘Merreni e hajeni, ky është korpi im, që do të flijohet për ju: bëjeni ketë në përkujtimin tim!’. Baras, në mbarim të darkës, mori kelkun e tha: ‘Ky kelk me gjakun tim, është Testamenti i Ri: gjithsa herë ta pini, bëjeni ketë në përkujtimin tim!’. (1 Kor 11.23). Tekst me kuptim tejet të thellë. Edhe këtu, në këtë katekizëm, po bëj vetëm dy vërejtje të vogla. Pali i transmeton fjalët e Zotit mbi kelkun kështu: “Ky kelk me gjakun tim, është Besëlidhja e Re”. Këto fjalë na kujtojnë dy tekste themelore të Besëlidhjes së Vjetër. I pari është Libri i Jeremisë Profet në të cilin çeket premtimi i Besëlidhjes së Re. Jezusi u thotë dishepujve të vet e na thotë edhe ne: “Tani, në këtë çast, me mua e me vdekjen time, lidhet Besa e re; nga gjaku im nis në botë historia e re e njerëzimit”. Por në këto fjalë ndjehet edhe prania e çastit të lidhjes së besës në Sinai, ku Mosiu pati thënë: “Ja Gjaku i besës që Zoti lidhi me ju mbi bazë të këtyre fjalëve” (Es 24,8). Atje ishte fjala për gjakun e bagëtive. Gjaku i bagëtive mund të ishte vetëm shprehje e një dëshire, pritje e flijimit të vërtetë, të kultit të vërtetë. Me dhantinë e kelkut, Zoti na dhuron flijimin e vërtetë. Flija e vërtetë është dashuria e Birit. Me dhuratën e kësaj dashurie, dashuri e amshuar, bota hyn në besëlidhjen e re. Të kremtosh Eukaristinë do të thotë se Krishti na jep vetveten, dashurinë e tij, për të na bërë të ngjashëm me vetveten e për të krijuar kështu një botë të re.


Aspekti i dytë i rëndësishëm i doktrinës mbi Eukaristinë duket në të njëtën Letër drejtuar Korintianëve, në të cilën Pali thotë: “Kelku i bekimit, të cilin ne e bekojmë, a s’është, thua, një bashkim me gjakun e Krishtit? E Buka, të cilën ne e thejmë, a s’ është, thua, bashkim me korpin e Krishtit? E me që kemi një bukë të vetme, edhe pse shumë, ne bëhemi një korp i vetëm: e një mend, të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë (10,16-17). Edhe në këto fjalë duket karakteri vetjak e karakteri shoqëror i Sakramentit të Eukaristisë. Krishti bashkohet personalisht me secilin nga ne, por i njëjti Krisht bashkohet edhe me burrin e me gruan pranë meje. E buka është imja, por edhe e tjetrit. Kështu Krishti na bashkon të gjithëve me Vetveten, e na bashkon të gjithëve me njëri-tjetrin. Në Kungim marrim Krishtin. Por Krishti bashkohet njëlloj edhe me të afërmin tim. Krishti e i afërmi janë të pandashëm në Eukaristi. E kështu të gjithë jemi një bukë e vetme, një korp i vetëm. Eukaristia pa solidaritetin me të tjerët, është Eukaristi e shpërdoruar. E këtu arrijmë tek rrënja e njëkohësisht, tek qendra e doktrinës mbi Kishën si Korp i Krishtit, i Krishtit të ngjallur.

Shikojmë edhe gjithë realizmin e kësaj doktrine. Krishti na dhuron në Eukaristi korpin e vet, jep vetveten në korpin e vet e kështu na bën korpin e tij, na bashkon me korpin e tij të ngjallur. Në se njeriu ha bukë të zakonshme, kjo bukë, përmes procesit të tretjes, bëhet pjesë e trupit të tij, duke u shndërruar në lëndë të jetës njerëzore. Kurse në Kungim realizohet procesi i kundërt. Krishti Zot na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në korpin e vet të lumnueshëm e kështu ne, të gjithë së bashku, bëhemi Korpi i tij. Kush lexon vetëm kapitullin e 12-të të Letrës drejtuar Korintianëve dhe kapitullin e 12-të të Letrës drejtuar Romakëve, mund të mendojë se fjala mbi korpin e Krishtit si organizëm i karizmave, është vetëm një lloj shembëlltyre shoqëroro-teologjike. Në të vërtetë në politologjinë romake shembëlltyra e korpit me shumë gjymtyrë, që formojnë një njësitë vetme, përdorej për vetë Shtetin, për të shpjeguar se Shteti është organizëm, ku secili luan rolin e vet e se shumllojshmëria e larmia e funksioneve formojnë një trup, ku secili ka vendin e vet. Duke lexuar vetëm kapitullin e 12-të të Letrës drejtuar Korintianëve mund të mendohet se Pali kufizohet vetëm në përdorimin e kësaj shprehjeje për Kishën e se edhe këtu kemi të bëjmë vetëm me sociologjinë e Kishës. Por duke pasur parasysh pikërisht kapitullin e dhjetë, shikojmë se realizmi i Kishës është krejt tjetër, shumë më i thellë e më i vërtetë se ai i shtetit-organizëm. E kjo, sepse Krishti na dhuron me të vërtetë korpin e vet e na bën korpin e vet. Bashkohemi realisht me korpin e ngjallur të Krishtit, e kështu edhe me njëri tjetrin. Kisha nuk është vetëm një korporacion si Shteti. Është korp, nuk është organizatë, por organizëm.

 
Në përfundim, dy fjalë edhe për Sakramentin e martesës. Për këtë Sakrament flitet shkurtimisht që në Letrën drejtuar Korintianëve, ndërsa në Letrën drejtuar Efezianëve shtjellohet teologjia e plotë e martesës. Këtu Pali e quan martesën ‘mister të madh’. E thotë këtë në kuptimin e Krishtit e të Kishës së tij (5,32). Në këtë fragment shikojmë lidhjen e anasjelletë, që përvijohet në një përmasë vertikale. Nënshtrimi i ndërsjelltë duhet shprehur me gjuhën e dashurisë, që e ka modelin e vet në dashurinë e Krishtit për Kishën. Kjo lidhje Krisht-Kishë vë në plan të parë aspektin teologal të dashurisë bashkëshortore, larton lidhjen ndjesore ndërmjet bashkëshortëve. Një martesë e vërtetë mund të jetë e qëndrueshme, në se gjatë rritjes njerëzore e ndjesore, mbetet e lidhur ngushtë me fjalën e Zotit e me premtimet e Pagëzimit. Krishti e shenjtëroi Kishën, duke e pastruar përmes ujit, shoqëruar me Fjalën e Zotit. Pjesëmarrja në korpin e gjakun e Zotit nuk bën tjetër, veçse ta çimentojë, përveçse ta bëjë të dukshëm, bashkimin, që realizohet përmes hirit të pazgjidhshëm.
  E në fund, të dëgjojmë fjalën e Shën Palit drejtuar Filipianëve: “Zoti është afër” (Fil 4,5). Më duket se e kemi kuptuar që, përmes Fjalës e përmes Sakramenteve, Zoti është pranë në gjithë jetën tonë. Ta lusim të na prekë deri në fund të shpirtit kjo afërsi, që të lindë kështu gëzimi - ai gëzim që lind vetëm kur Krisht është vërtetë pranë!







All the contents on this site are copyrighted ©.