2008-12-17 18:23:13

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kujton se Krishtlindja nuk është tregti dhuratash, por dhuratë e Zotit për njeriun.


(17.12.2008 RV)RealAudioMP3 Krishtlindja është festa universale e gëzimit: kriza e sotme ekonomike mund të ndihmojë për ta pastruar nga koret konsumistike e materialistike, të cilat shpesh e maskojnë, e për ta rizbuluar në gjithë vërtetësinë e saj: si dhuratë shprese që i bën Zoti botës. Është kjo përmbledhja e katekizmit mbajtur sot nga Papa në audiencën e përgjithshme, e fundmja e Vitit 2008, përballë pesë mijë besimtarëve e shtegtarëve, mbledhur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Benedikti XVI kujtoi në mënyrë të veçantë fëmijët e varfër të mbarë botës, që kalojnë periudha të vështira dhe përfundoi duke e ftuar çdo familje ta ruajë e ta pasurojë traditën e Shpellave të Betlehemit.

Krishtlindja i flet zemrës. Edhe zemrës së njerëzve që nuk besojnë, por që nuk mund të mos ndjejnë, në këtë periudhë ‘diçka të jashtëzakoshme e të mbinatyrshme’, sepse ardhja e një fëmije, që na pushton ndër krahë, nuk mund të mos jetë ngjarje tejet gazmore. Fjalët me të cilat Benedikti XVI hapi katekizmin, ishin një himn për dashurinë që u ngjall të gjithëve Krishti Fëmijë në Shpellën e Betlehemit. E, me që Krishtlindja është festë e lindjes së një Fëmije, bëhet edhe festë që këndon dhuratën e jetës. Por vizioni që krijon Krishti për vetveten në mjerimin e grazhdit e nxiti Papën të japë edhe disa mendime të tjera, urgjente e aktuale:

“Duke e kundruar në Shpellën e Betlehemit, si mund të mos mendojmë për shumë fëmijë, që edhe sot e kësaj dite dalin në dritë në mes një varfërie të madhe, në të katër anët e botës? Si mund të mos mendojmë për të posalindurit, që nuk duhen, që flaken, për ata që vdesin pa lindur mirë për shkak të mungesës së ilaçeve e të kujdesit? Si të mos mendojmë edhe për familjet, që dëshirojnë me gjithë zemër gëzimin e një fëmije e nuk arrijnë ta realizojnë kurrë këtë ëndërr?”.

 
Në atmosferën e konsumizmit, që e shtyn njeriun të kërkojë vetëm kënaqësitë, për fat të keq – vërejti Benedikti XVI – Krishtlindja rrezikon ta humbasë domethënien e vet shpirtërore, për t’u kufizuar në treg për shitblerje dhe shkëmbim dhuratash. Megjithatë, vijoi:

Vështirësitë e paqartësitë e vetë krizës ekonomike, që po jetojnë këto ditë shumë familje e që prek mbarë njerëzimin, mund të jenë nxitje për të rizbuluar ngrohtësinë e thjeshtësisë, të miqësisë, të solidaritetit, vlera tipike të Krishtlindjes. E pastruar nga koret konsumistike e materialistike, Krishtlindja mund të bëhet, kështu, rast për ta pranuar, si dhuratë personale, lajmin e shpresës, që buron nga misteri i lindjes së Krishtit”.

 
Nuk lind ndonjë ‘personalitet i shquar – pohoi Papa. Për Kërshëndella – theksoi me forcë – nuk përkujtohet në mënyrë abstrakte misteri i lindjes së njeriut, e aq më pak festohet ‘fillimi i stinës së re’. Përkundrazi, pasuria biblike e liturgjisë së Nëtëditshes së Krishtlindjes, që nisi dje, na tregon kuptimin e Mishërimit të Jezusit. Papa citoi në vijim fragmente nga veprat e Shën Leonit të Madh, të Shën Palit si dhe Prologun e Ungjillit të Shën Gjonit, që na shpjegon thelbin e Krishtlindjes:

“Në Krishtlindje kujtojmë diçka tepër konkrete e të rëndësishme për njerëzit, diçka që është themelore për fenë e krishterë, një të vërtetë që Shën Gjoni e përmbledh në shprehjen: “ E Fjala u bë njeri!”.

 
Krishti Fëmijë bëhet histori, siç e dëshmon Shën Luka. Është ‘Vetje’, që interesohet për çdo njeri, është…:

“Një Hyj i mirë, që nuk duhet ngatërruar me ndonjë qenie tjetër të lartë e të largët, tek e cila nuk mund të arrihet kurrë, por një Zot që u bë i afërmi ynë, që e kemi fare pranë, që ka kohë për secilin nga ne e që erdhi të rrijë me ne”.
 
Përballë gjithë kësaj mrekullie, e cila ndokujt, për të mos thënë të gjithëve, mund t’i duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë, aq sa të mendojë në se është gjë e denjë për Hyjin ‘të bëhet foshnjë’, Papa i ftoi të gjithë të ‘ulin’ kokën përballë madhështisë së misterit, të cilin mendja e kufizuar njerëzore nuk arrin ta kuptojë. Në Shpellën e Betlehemit, shpjegoi Ati i Shenjtë:
 
Hyji duket para nesh si foshnjë e përvujtë, për të mundur krenarinë tonë. Ndoshta do të dorëzoheshim më lehtë përballë pushtetit, përballë dijes; po Ai nuk dëshiron që ne të dorëzohemi; ai i bën thirrje zemrës sonë e pret të marrim lirisht vendimin për ta pranuar dashurinë e tij. U bë i vogël, për të na çliruar nga pretendimi i madhështisë, që buron nga mendjemadhësia; u mishërua lirisht, për të na bërë ne të lirë, të lirë për ta dashur”.

 
Në përfundim të audiencës Papa përshëndeti, si zakonisht, të pranishmit. Një përshëndetje të veçantë i drejtoi grupit të gajdexhinjve të Matezes, ardhur nga qyteti Boiano, që e gjallëruan Sallën e Palit VI në Vatikan me disa nga meloditë tradicionale të Krishtlindjes. Tingujt e instrumenteve të tyre ishin sfond muzikor i porosisë së fundit të Papës për gjithë të krishterët, kudo në botë, për të bërë Shpellën e Betlehemit në familje:

“Uroj që një element kaq i rëndësishëm, jo vetëm i fesë sonë, por edhe i kulturës e i artit të krishterë, të jetë edhe tani e tutje pjesë e këtij solemniteti të madh; në fund të fundit është një mënyrë e thjeshtë e shprehëse për të kujtuar Jezusin i cili, duke u bërë njeri, erdhi të banojë mes nesh”. Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve!".







All the contents on this site are copyrighted ©.