2008-12-16 16:11:10

Programi i kremtimeve të Krishtlindjes, që do të kryesohen nga Papa Benedikti XVI


(16.12.2008 RV)U bënë të njohura kremtimet e periudhës së Krishtlindjes, në të cilat do të marrë pjesë Papa Benedikti XVI. Si zakonisht, Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor, në mesnatë, në Bazilikën e Vatikanit, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën Solemne të Lindjes së Krishtit. Të enjten, më 25 dhjetor, dita e Krishtlindjes, Papa Racinger do t’i drejtojë krejt botës mesazhin e tij dhe do t’u japë të gjithëve bekimin “Urbi et Orbi” nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, në mesditë.
Do të fillojnë më pas festat e Vitit të Ri. 31 dhjetori është dita e fundit e vitit 2008, por edhe nata e Solemnitetit të Shën Marisë, Nënës së Zotit. Në orën 18 në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI do të kremtojë Lutjet e para Mbrëmësore të këtij Solemniteti. Më pas, do të adhurohet i Shenjtnueshmi Sakrament, do të këndohet himni tradicional “Te Deum”, që mbyll vitin dhe do të jepet bekimi eukaristik. Të enjten, më 1 janar 2009, në ditën e parë të vitit të ri, festë e shën Marisë, Nënës së Zotit dhe Ditë Botërore e paqes, Papa do të kremtojë Meshën në orën 10, gjithnjë në Bazilikën e Vatikanit. Është bërë i njohur tashmë edhe mesazhi i tij për këtë ditë, që sivjet ka si temë: “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen”.
Do të jetë sërish Ati i Shenjtë, që në ditën e Dëftimit të Zotit, e cila ndër shqiptarë njihet edhe si dita e Ujit të Bekuar, të martën më 6 janar, do të kremtojë Meshën Solemne. Kremtimet e Krishtlindjes përfundojnë me festën e Pagëzimit të Krishtit, të dielën, 11 janar. Benedikti XVI do të kryesojë Meshën në Kapelën Sikstine, në orën 10, gjatë së cilës do të pagëzojë disa fëmijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.