2008-12-16 16:12:15

Kardinal Bertone në Spitalin e Krishtit Fëmijë: Krishtlindja është ngjarja qëndrore e shpëtimit tonë


(16.12.2008 RV)“Krishtlindja nuk është treg zbukurimesh apo dhuratash”: kështu nënvizoi sot paradite kardinali-Sekretar i Shtetit, Tarçizio Bertone, me rastin e vizitës në Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù” (Krishti Fëmijë) në Romë. Krishtlindja, tha prelati, është kujtimi i ngjarjes qendrore të Shëlbimit: Biri i Zotit u bë njeri në kraharorin e Marisë.
Kardinal Bertone e quajti vizitën e përvitshme tradicionale, për të çuar urimet e Papës në spitalin ku kurohen fëmijë nga e gjithë bota, e edhe nga Shqipëria, “një takim të shkurtër, por intensiv familjar”. Papa, u tha ai mjekëve dhe infermierëve, ndjek me dashuri punën tuaj dhe aktivitetet e rëndësishme, ku tregohet guximi e bujaria e këtij spitali. Ndihej me të vërtetë atmosfera e familjes, sidomos me këngët e Krishtlindjes luajtur nga banda muzikore.
Fillimisht, Sekretari i Shtetit të Vatikanit përshëndeti fëmijët dhe prindërit e tyre në sallën e lojrave. Më pas, u ngjit në sallën e mbledhjeve ku e prisnin punonjësit. “Për Krishtlindje bëhemi të gjithë fëmijë”, tha prelati i lartë, duke cituar Papën Pali VI. “Krishtlindja e krishterë – theksoi kardinal Bertone, duke kritikuar konsumizmin masiv të ditëve të sotme – është ripërtëritja e kujtimit të ngjarjes qendrore të shpëtimit tonë: Jezu Krishti, Biri i Zotit vjen për të na liruar nga gërbula e mëkatit, nga droga e egoizmit, nga tuneli i errët dhe i ftohtë i vdekjes”. Vazhdoni të punoni – këshilloi ai presidentin e spitalit, Xhuzepe Profiti dhe punonjësit e tjerë – jo vetëm me profesionalitet, por edhe me ndjenjë të spikatur humanizmi, mirëkuptimi, miqësie e dashurie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.