2008-12-15 18:21:04

Bashkëbisedim katoliko-islamik mbi përgjegjësinë e prijësve fetarë në kohë krize


(16.12.2008 RV)Filloi sot paradite në Romë, takimi i 11-të, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun ndërfetar dhe nga "Shoqëria Botërore e thirrjes islamike"(Word Islamic Call Society), me seli në Tripoli të Libisë. Nisma pason takimet e tjera, organizuar në seli të ndryshme, së pari më 1976 e, më pas, në mënyrë të rregullt, që nga viti 1989 deri më sot.
Tema e takimit të sivjetëm përqendrohet tek “Përgjegjësia e prijësve fetarë, posaçërisht në kohë krize”. Pesë seancat e takimit do t’i kushtohen thellimit, nga ana katolike e ajo myslimane, të tre reflektimeve: “Përgjegjësi fetare”; ‘Përgjegjësi kulturore e shoqërore”; “Kohë krize në rrugën e dialogut ndërfetar”.Në takim marrin pjesë dymbëdhjetë personalitete dhe specialistë katolikë e po aq, edhe myslimanë, ardhur nga vende të ndryshme, nën drejtimin e kardinalit Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar dhe Muhamed Ahmet Sherif, sekretar i përgjithshëm i “Word Islamic Call Society”. Takimi do të përfundojë të mërkurën, më 17 dhjetor, me audiencën e pjesëmarrësve tek Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.