365 ditë: "Hanri Matis, pikturon për lumni të Zotit "një lule, që është lulja e luleve...".
(15.12.2008 RV)Kështu e quante
Hanri Matis kryeveprën e viteve të fundit të jetës së tij: kapelën e Zojës Rruzare
në Vansë. Vansë është një qytezë jo fort e madhe, në jug-lindje të Francës, pranë
Kanës e Nicës. Rreth vitit 1950 aty banonte një bashkësi murgeshash domenikane. Njëra
prej tyre, motra Zhak-Mari, kujdeset për Hanri Matisin, njërin nga piktorët më në
zë të shekullit XX. Gjatë sëmundjes së tij të rëndë, ndërmjet viteve 1942 e 1943,
nuk i ndahet ditë-natë. Kështu ndërmjet piktorit e murgës lind një miqësi e thellë. Kur
domenikanet vendosin të ndërtojnë një kapelë, në vend të kapanonit ku mblidhen për
t’u lutur, motra Zhak-Mari natyrisht këshillohet me mikun e saj, Harri e i flet për
planin e realizimit të një vetrate. Shumë shpejt piktori pranon të merret me realizmin
e gjithë projektit, përveç arkitekturës. Projekton kapelën, vetratat, elterin, zbukurimet
e rrëfyestoret... Në këtë kohë artisti i madh është shtatëdhjetë e shtatë vjeç e nuk
beson në Zotin, ose më mirë të themi, beson, por sipas mënyrës së vet. I përpunon
disa herë vetratat, motivet e të cilave të kujtojnë elemente bimore e ujore, gjethe
e alga. Ngjyra e kaltërt, e gjelbërt dhe e verdhë të kujtojnë dritën e ëmbël që buron
nga deti, dy hapa larg që aty... Pasqyrimet e ngjyrave përshkojnë kapelëzën e zbresin
ëmbëlsisht mbi figurën e Shën Domenikut, pikturuar me ngjyrë të zezë mbi pllakat prej
qeramike. Guri i elterit përhap reflekse të buta, të praruara: është guri i përdorur
nga romakët për ndërtimin e urës Gard. Mbi dysheme, mermeri i inkrustuar të kujton
zbukurimet e artit islamik. Mbi elter, gjashtë shandana të vegjël në formën e një
kurore anemonash, drejtuar nga qielli, dhe një kryq, të kujtojnë shandanin me shtatë
krahë të hebraizmit. Piktori krijoi një vend të përshpirtshëm, që bashkon të
gjitha fetë, edhe ato që nuk besojnë në Hyjin e Jezusit. Prania e botës bimore dhe
e diellit, që spikatin mbi sfondin e kaltërt të qiellit, të kujtojnë lutjen e heshtur
të botës, që dëshiron të lartohet drejt Zotit. “Zoti më merr për dore”, thoshte
Matis, që mendonte se Kapela e tij e bën njeriun të marrë hov gazmor e plot shpresë
drejt qiellit. Kapela u krye në qershor të vitit 1950. Hanri Matis vdiq katër vjet
më vonë.Kjo ndërtesë e shkëlqyer është njëra, ndërmjet shumë të tjerash, që mund të
admirohen në Francën jug-lindore, si kisha e rrafshnaltës të Asit, në Savojë; Kuvendi
i Korbysje pranë qytetit Arbrel, Kisha e Ronshamp...e të tjera e të tjera…