2008-12-13 18:29:53

Benedikti XVI për vizitë në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë: Kisha bashkëpunon me shtetin për të mirën e përbashkët të shoqërisë


(14.12.2008 RV)RealAudioMP3 Për herë të katërt në histori, një papë shkoi për vizitë në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, e cila gjendet në Romë, në Pallatin e lashtë Borromeu, në rrugën Flaminia. Benedikti XVI ndodhej atje dje paradite, për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shtetit e Kishës, pavarësisht nga ndarja e roleve dhe e detyrave. Gjatë vizitës, Papa iu drejtua me dy fjalime të ndryshme, autoriteteve diplomatike dhe punonjësve të ambasadës. Gjithashtu, u lut në kapelën e saporestauruar të pallatit dhe admiroi një kryq të lashtë të Mikelanxhelo Buonarrotit. Ky kryq i drunjtë, i blerë kohët e fundit nga Shteti italian, i atribuohet skulptorit e piktorit të famshëm, Mikelanxhelo e, Papa qëndroi para tij për disa minuta, duke dëgjuar shpjegimet e Ambasadorit italian pranë Selisë së Shenjtë, Antonio Xanardi Landi dhe të drejtorit të Muzeve të Vatikanit, prof. Antonio Paoluçi.
Megjithëse e ndarë nga punët e një shteti – shpjegoi Ati i Shenjtë, gjatë vizitës – Kisha ka për detyrë të kërkojë respektimin në jetën shoqërore e publike, të atyre parimeve morale që nxisin dinjitetin e personit dhe të mirën e përbashkët. Në të kaluarën, edhe papë të tjerë kanë kapërcyer pragun e Pallatit Borromeu, seli e ambasadës që nga viti 1929, por i ndërtuar para 450 vjetësh. Papa Piu XII e pati vizituar më 1951, Pali VI në vitin 1964 e Gjon Pali II në vitin 1986. Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shtetit italian, të cilët në shkurtin e ardhshëm festojnë 80-vjetorin e Pakteve Lateranense dhe 25-vjetorin e Konkordatit, Benedikti XVI tha:
“Kemi të bëjmë me një mirëkuptim shumë të rëndësishëm e domethënës në situatën aktuale botërore, në të cilën vazhdimi i konflikteve dhe i tensioneve ndërmjet popujve e bën gjithnjë e më të nevojshëm bashkëpunimin me të gjithë ata, që kanë të njëjtat ideale të drejtësisë, solidaritetit e të paqes”.
Një bashkëpunim i tillë, vazhdoi Papa Racinger, vë në dukje “ndarjen” dhe “autonominë” e Shtetit nga Kisha, progres i madh ky për njerëzimin e edhe për vetë Kishën, “një kusht themelor për lirinë e saj” e për “plotësimin e misionit universal të shpëtimit në gjirin e të gjithë popujve”:
“Por, njëkohësisht, Kisha e ndjen për detyrë, duke ndjekur direktivat e doktrinës së vet shoqërore (…) të rizgjojë në shoqëri, forca morale dhe shpirtërore, duke kontribuar në hapjen e vullnetit ndaj kërkesave të vërteta të së mirës. Prandaj, duke përmendur vlerën që kanë për jetën jo vetëm private, por edhe, e sidomos publike, disa parime themelore etike, në fakt, Kisha kontribuon në garantimin e promovimin e dinjitetit të njeriut e në të mirën e përbashkët të shoqërisë, e në këtë kuptim, realizohet bashkëpunimi i vërtetë ndërmjet Shtetit e Kishës”.
Para fjalimeve zyrtare, për nder të Benediktit XVI u dha një koncert i shkurtër nga një kuartet harqesh. Papa u ndalua fillimisht në kapelën e restauruar, kushtuar Shën Karl Borromeut, të cilit, kur ishte kardinal e Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i ungji, Papa Piu IV i bëri dhuratë rezidencën, ku sot e ka selinë Ambasada e Italisë pranë Vatikanit. Shën Karl Borromeu njihet si “engjëlli i të molepsurve” për bamirësitë e panumërta në kohën kur Milano ishte përfshirë nga murtaja. Papa Racinger e përmendi me këto fjalë:
“Rruga njerëzore dhe shpirtërore e përshkuar nga Shën Karl Borromeu tregon se si Hiri Hyjnor mund ta shndërrojë zemrën e njeriut dhe ta bëjë të aftë për një dashuri ndaj vëllezërve, që shkon deri në flijimin e vetvetes”.
Pak para mesditës së djeshme, Benedikti XVI përshëndeti autoritetet dhe punonjësit e ambasadës me urimet për Krishtlindjen, drejtuar Kreut të Shtetit italian, Xhorxho Napolitano e krejt popullit të gadishullit, por jo vetëm atyre:
“Urimi im i paqes përqafon më pas të gjitha vendet e botës, qofshin apo jo zyrtarisht të përfaqësuar pranë Selisë së Shenjtë. Është një urim për dritë e përparim të vërtetë njerëzor, për begati e pajtim, realitete këto, drejt të cilave mund të aspirojmë me shpresë e besim, sepse janë dhurata, që Jezusi i ka bërë botës duke lindur në Betlehem”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.