2008-12-12 18:51:45

Papa shtegtarëve të Austrisë së Ultë: Krishti është shpresa e një bote që jeton në errësirë


(12.12.2008 R.V.)Papa Benedikti XVI priti sot paradite pjesëmarrësit e ardhur në Vatikan nga Austria e Ultë, për ndezjen e pemës së Krishtlindjes, dhuratë e bashkisë së Gutensteinit, që do të bëhet nesër pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Pema e Krishtlindjes e shpella e Betlehemit janë quajtur nga Papa si “simbole të jetës” që “na sjellin te misteri i Natës së Shenjtë” në të cilën Krishti “në botën e zhytur në errësirë, në acar e të pa shëlbuar, vjen për të lindur, një shpresë e re një shkëlqim i ri”. “Kur njeriu leton të ndriçohet nga drita e vërtetë dhe e gjallë që është Krishti – shtoi Benedikti XVI – përjeton paqen e brendshme në zemër e bëhet veprimtar i paqes në një shoqëri që ka kaq shumë nostalgji për pajtim e shpëtim”.
Duke folur për vizitën e vitit të kaluar në Austri, papa kujtoi “historinë thellësisht të krishterë “ të këtij Vendi siç dëshmon prania e shumë kuvendeve e Kishave e pastaj i ftoi besimtarët që “në një farë mënyre të vazhdojnë ta mbajnë gjallë dëshminë për Krishtin, për t’u dhënë njerëzve mbështetje e orientim në jetën e tyre”. Papa falënderoi për dhuratën e pemës së Krishtlindjes e shprehu urimet më të përzemërta për “ festën e Krishtlindjes” duke siguruar lutjen e tij e duke i porositur të gjithë ndërmjetësimit të Marisë, pajtores qiellore të Austrisë e pajtores së rajonit, të Leopoldos”.







All the contents on this site are copyrighted ©.