2008-12-12 18:49:22

Papa ipeshkvijve të Tajvanit: të jeni shpirtë risht të bashkuar me vëllezërit e Kinës kontinentale


(12.12.2008 R.V.)Mbrojtja e familjes, kujdesi për emigrantët e formimi i meshtarëve dhe i katekistëve: këto janë tri temat kryesore që trajtoi Papa në fjalimin e tij drejtuar ipeshkvijve katolikë të Tajvanit, të cilët i priti sot paradite në Vatikan me rastin e vizitës së tyre pesëvjeçare ‘Ad Limina Apostolorum’. Mes tjerash, Benedikti XVI i ftoi ipeshkvijtë e Tajvanit të jenë shpirtërisht të bashkuar me bashkëvëllezërit e Kinës kontinentale.
“Ju e besimtarët e të krishterët e Tajvanit jeni shenjë e gjallë se në një shoqëri të drejtuar me drejtësi”, nuk duhet pasur frikë të jesh “ katolikë i mirë e qytetarë i mirë”: këtë lavdërim Papa Benedikti XVI ia drejtoi ipeshkvijve të Tajvanit, të thirrur të tregojnë “një vëmendje të përzemërt për katolikët “që jetojnë në Kinën kontinentale. “Lutem – shtoi Papa – që si pjesë e familjes së madhe katolike kineze të vazhdoni të jeni shpirtërisht të bashkuar me sivëllezërit tuaj kontinentalë” e të kujdeseni për mbrojtjen e familjes, “qelizës jetike” të shoqërisë. “E themeluar mbi paktin e parevokueshëm – tha Papa – familja i sjell personat të zbulojnë mirësinë, bukurinë e të vërtetën” dhe përmes tyre edhe “të mësojnë të japin ndihmesën e tyre për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë”.
“Mos u lodhuni në promovimin e legjislacionit të drejtë civil e të politikave që mbrojnë aspektin e shenjtë të martesës”. Kështu Papa i ftoi ipeshkvijtë e Tajvanit të mbrojnë këtë Sakrament nga gjithçka që mund ta dëmtojë, në mënyrë të veçantë prej sulmeve kundër jetës në çastet më të ndjeshme të saj. Në vazhdim Ati i Shenjtë Racinger nënvizoi në mënyrë të posaçme vëmendjen që Kisha e Tajvanit ka në fushën e mbrojtjes të të drejtave njerëzore të emigrantëve, sidomos përmes rrjetit të kishave famullitare.
“Kremtimi i 150 vjetorit të ungjillëzimit katolik të Tajvani – vijoi Papa – le të jetë rast për ta shfaqur në një mënyrë edhe më fortë bashkimin me Zotin, duke promovuar së bashku apostullimin e Kishës”. Pastaj Papa i porositi ipeshkvijtë t’i kushtojnë vëmendje të veçantë formimit të meshtarëve e përgatitjes së katekistëve dhe përmendi Ditën e të Rinjve të Tajvanit e Konferencën mbi Ungjillëzimin me aftësi të krijuese.







All the contents on this site are copyrighted ©.