2008-12-12 18:40:27

Dokument i ri i Kishës mbi bioetikën: t’i njihen çdo personi, që nga zënia, të drejtat e njeriut.


(12.12.2008 RV)“Çdo personi, që nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, i duhet njohur dinjiteti njerëzor”: fillon kështu Udhëzuesi “Dignitas personae” (Dinjiteti i njeriut) i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, paraqitur sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Dokumenti trajton disa çështje të bioetikës dhe është vazhdim i Udhëzuesit “Donum vitae” (Dhuratë jete) botuar nga i njëjti dikaster në vitin 1987.
Reflektimi sillet rrotull embrionit njerëzor dhe të drejtave të tij të patjetërsueshme. Niset nga “një “po” e madhe për jetën njerëzore”, për të vazhduar me një seri “jo”-shë, të cilat duhen kuptuar pozitivisht, ashtu si të gjitha “jo”-të e njerëzimit kundër racizmit, skllavërisë, diskriminimit. Prandaj, “jo” punës kërkimore-shkencore mbi qelizat embrionale, “jo” kriokonservimit të embrioneve, “jo” përdorimit të pilulës së një dite më pas, Ru 486, përdorimit të spirales e të gjithë kontraceptivëve, që mund të shkaktojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi, abortin.
“Jo” edhe teknikave të fekondimit artificial, klonimit njerëzor e atij me qëllim terapeutik, “jo” përdorimit të qelizave embrionale për eksperimentim edhe kur ligji e lejon, “jo” përzgjedhjes gjenetike të embrioneve të fëmijëve. Në asnjë rast, njeriu nuk duhet të zëvendësojë Krijuesin.
Në tekst, pohohet se familja përbën zanafillën e jetës njerëzore, se njeriu është krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit e se dashuria ndërmjet burrit e gruas është pasqyrë e dashurisë trinitare, prandaj Vatikani dënon çdo formë fekondimi artificial, duke pranuar vetëm ato raste kur kjo teknikë ndihmon bashkëshortët dhe fekondimin natyror brenda familjes. Teknika është e pranueshme gjithashtu për gratë me tumor, që kanë dëshirë të kenë fëmijë pas kurave.
Kongregata për Doktrinën e Fesë përdor fjalë të ashpra edhe kundër diagnostikimit preimpiant. “Ky diagnostikim – lexohet në dokument – është një formë diagnostikimi para lindjes, lidhur me teknikat e fekondimit artificial, që parashikojnë diagnostikimin gjenetik të embrioneve të krijuar në epruvetë, para transferimit të tyre në barkun e nënës. Ai bëhet me qëllim që të ekzistojë siguria e transferimit tek nëna vetëm e embrioneve pa difekte, ose me seks të përcaktuar, ose me cilësi të veçanta”.
Prandaj, shpjegohet në Udhëzues, “ndryshe nga forma të tjera të diagnostikimit para lindjes, diagnostikimi preimpiant ndiqet zakonisht nga eliminimi i embrionit që dyshohet se ka difekte gjenetike apo kromozomesh, ose është i një gjinie apo ka cilësi të padëshiruara”. Kjo përzgjedhje e embrionit çon drejt abortit, prandaj është e pamoralshme e duhet konsideruar juridikisht e papranueshme.
Përsa i përket zbatimit të inxhinjerisë gjenetike me qëllim përmirësimin apo fuqizimin e kodit gjenetik të një personi – vazhdon më tej dokumenti – duhet të kemi parasysh se manipulime të tilla mund të favorizojnë “një mentalitet eugjenetik” dhe mund të krijojnë një diskriminim shoqëror për ata që nuk kanë talente të veçanta. Gjithashtu, mund të fuqizojnë talente apo aftësi të një kulture apo shoqërie të caktuar, që nuk përbëjnë në vetvete karakteristika thelbësore të njeriut. “Kjo – pohohet në tekst – do të binte ndesh me të vërtetën themelore mbi barazinë e të gjitha qënieve njerëzore, që ushqen parimin e drejtësisë, dhunimi i të cilit, me kohë, do të kërcënonte bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve”. Përpjekja për të krijuar të ashtuquajturin “njeriun e ri” – përfundon Udhëzuesi “Dignitas personae” – mban në vetvete një përmasë ideologjike, sipas të cilës njeriu pretendon të zëvendosjë Krijuesin e vet. Dihet mirë, se përpjekje të tilla kanë dështuar në të gjitha kohërat.








All the contents on this site are copyrighted ©.