2008-12-11 16:32:05

U paraqit Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes 2009. Në fillim të vitit, edhe botimi i një enciklike shoqërore të Papës


(11.12.2008 RV)RealAudioMP3 U paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Mesazhi i Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqes 2009, me titull “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen”.
“Në botën aktuale globale, është gjithnjë e më e qartë, se ndërtohet paqja vetëm nëse u sigurohet të gjithëve mundësia e një zhvillimi të arësyeshëm: në fakt, shtrembërimet e sistemeve të padrejta, herët a vonë, u paraqesin llogarinë të gjithëve”. Kjo është teza themelore e Mesazhit të Atit të Shenjtë për ditën e 1 janarit 2009, Dita e 42-të Botërore e Paqes, paraqitur sot në praninë e krerëve të Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinalit Renato Rafaele Martino dhe imzot Xhampaolo Krepaldit. Tezë, që do të zgjerohet më tej në Enciklikën shoqërore, të cilën Benedikti XVI do ta botojë në fillim të vitit 2009.
Teksti analizon aspekte të ndryshme të situatës aktuale botërore. Përsa i përket krizës financiare, Papa vë në dukje se “financa e e kufizuar vetëm në afate të shkurtra ose shumë të shkurtra bëhet e rrezikshme për të gjithë, edhe për ata që arrijnë të përfitojnë prej saj në fazat e euforisë financiare”.
Më pas, Ati i Shenjtë shpjegon se nuk është më e vërtetë se për të favorizuar paqen, duhet përgatitur lufta. Në fakt, rritja përtej arësyes e shpenzimeve për armatimin pa dyshim bëhet në dëm të shpenzimeve shoqërore, prandaj, “shkakton gjendje nënzhvillimi e dëshpërimi, duke u shndërruar kështu paradoksalisht, në faktor paqëndrueshmërie, tensioni dhe konflikti”. Kardinal Martino, gjatë paraqitjes së Mesazhit në Vatikan, sqaroi:
“Ati i Shenjtë i fton shtetet të bëjnë autokritikë të sinqertë. Kërkesë e arësyeshme, pasi shpenzimet ushtarake botërore në vitin 2007 kanë qenë 1339 miliard dollarë”.
Me pasion të madh, Benedikti XVI flet për problemin demografik, duke kritikuar ashpër mendimin se rritja e popullsisë shkakton zvogëlimin e burimeve natyrore dhe si rrjedhojë, varfërimin e personave. Nuk është kështu, thekson me forcë Ati i Shenjtë, “kanë dalë nga varfëria, popullsi që karakterizohen nga një rritje e madhe demografike”, madje, “vendet që kohët e fundit po thonë me forcë fjalën e tyre në skenën ndërkombëtare, si fuqi të reja ekonomike, janë zhvilluar me shpejtësi, pikërisht në sajë të numrit të madh të banorëve”. Shfarosja e miliona fëmijëve përmes abortit, në emër të luftës kundër varfërisë – denoncon – përbën në të vërtetë eliminimin e më të varfërve nga gjiri i njerëzimit.
I njëjti arësyetim vlen edhe për luftën kundër Sidës, sëmundje që rëndon mbi gjendjen e vështirë ekonomike të shumë vendeve, duke kërcënuar kështu paqen. Për të fituar mbi Sidën, thekson Papa Racinger, “duhen vënë në dispozicion, edhe të popujve të varfër, ilaçet dhe kurat e nevojshme; kjo supozon nxitjen e punës kërkimore-shkencore në fushën e mjekësisë dhe risi në fushën terapeutike e madje, kur është e nevojshme, heqjen dorë nga rregullat ndërkombëtare të mbrojtjes së pronësisë intelektuale, që t’u garantohet të gjithëve mjekimi shëndetësor bazë”.
Gjithsesi, Ati i Shenjtë pranon se përpjekjet për të ndalur pasojat e sëmundjeve, si Sida, malaria e tuberkulozi, mbi popullsinë, jo gjithnjë arrijnë rezultate pozitive. “Ndodh – vë në dukje Papa – që vendet viktima të ndonjërës prej këtyre pandemive, për t’i përballuar, u duhet të pësojnë shantazhin e atyre që e kushtëzojnë dhënien e ndihmave me zbatimin e politikave kundër jetës”. Në të vërtetë, arësyeton Shenjtëria e Tij, “nuk mund të luftohet Sida, shkak dramatik i varfërisë, nëse nuk përballohen problemet morale me të cilat është e lidhur përhapja e virusit: duhet të bëhen fushata, të cilat edukojnë sidomos të rinjtë me një seksualitet, që i përgjigjet dinjitetit të personit. Iniciativa të tilla kanë dhënë tashmë fryte domethënëse, duke zvogëluar përhapjen e Sidës”.
Pra, për të ndërtuar paqen, Papa kërkon me forcë që të njihet e vërteta, pavarësisht se shpesh nuk e lë të qetë ndërgjegjen, duke u kujtuar të gjithëve, për shembull, se siç citoi kardinal Martino, duke iu referuar mendimit të Benediktit XVI për “krizën ushqimore”:
“Ajo krizë karakterizohet jo aq nga pamjaftueshmëria e ushqimit, sa nga mungesa e institucioneve politike dhe ekonomike, të cilat nuk janë në gjendje të përballojnë nevojat dhe emergjencat”.
Ç’duhet bërë? Globalizimi – pohon Ati i Shenjtë – duhet të udhëhiqet nga solidariteti, sepse “i vetëm nuk është i aftë të ndërtojë paqen, e në shumë raste, madje, krijon ndarje e konflikte”. Duhet luftuar kundër kriminalitetit, investuar në formimin e personave, në mënyrë që ata vetë të shkojnë natyrshëm drejt një kulture, që u mëson si të marrin iniciativën e bashkë me të, si të marrin në dorë fatin e jetës së tyre. Politikat krejtësisht asistencialiste – kritikon Papa Racinger – janë në zanafillën e dështimit të ndihmave ndaj vendeve të varfëra. Më tej: i duhet dhënë më shumë hapësirë shoqërisë civile, por thekson Shenjtëria e Tij, në fund të fundit, lufta kundër varfërisë ka nevojë për burra e gra, që e jetojnë thellësisht frymën vëllazërore e që shohin tek të varfërit, fytyrën e Krishtit.
Koncept ky, i sqaruar mirë nga kardinali Martino, gjatë paraqitjes së Mesazhit për Ditën botërore të Paqes 2009, në Sallën e Shtypit të Vatikanit:
“Braktisja e të varfërve të planetit dhe kushtet e trishtuara të ekzistencës së tyre mund të gjejnë tek globalizimi mjete të vlefshme për zgjidhje, vetëm nëse çdo person do t’i ndjejë ato padrejtësi e ato dhunime të të drejtave të njeriut sikur t’i kishte pësuar vetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.