2008-12-11 18:37:38

Papa, studentëve romakë: Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve të bëhet ushqim për fenë


(11.12.2008 RV)RealAudioMP3 Bota e universitarëve romakë u shtrëngua sot përreth Papës Benedikti XVI, në takimin që bëhet çdo vit, që prej 30 vjetësh, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Është një moment lutjeje e reflektimi në prag të Krishtlindjes. Pasdite, në orën 17.00, u kremtua Mesha e kryesuar nga kardinali vikar për dioqezën e Romës, Agostino Valini. Në përfundim të saj, Ati i Shenjtë zbriti në Bazilikë për të përshëndetur studentët dhe për t’u besuar atyre një nga shkrimet më të rëndësishme të Shën Palit Apostull, Letrën drejtuar Romakëve. Gjatë kremtimit, ikona e Shën Marisë, Seli e Dijes, simbol i të rinjve universitarë dhe i Ditëve Botërore të Rinisë, kaloi nga delegacioni rumun në atë australian, në praninë e kardinalit Xhorxh Pell, kryeipeshkëv i Sidnejt.
Duke reflektuar mbi Letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve, Papa uroi që ky shkrim të bëhet ushqim për fenë e universitarëve, duke i bërë të besojnë më shumë e më mirë, për të arritur tek një fe “e menduar” e njëkohësisht, duke i bërë ta jetojnë fenë, sipas të vërtetave të urdhërimeve të Krishtit. Vetëm kështu – u tha Benedikti XVI studentëve – dëshmia e fesë bëhet e besueshme për të tjerët.
Sivjet, të rinjtë romakë reflektojnë mbi Pagëzimin, si Sakrament rrënjësor për t’u rizbuluar. Të jesh i pagëzuar në Krishtin – u tha Papa atyre, duke perifrazuar Shën Palin Apostull – do të thotë të zhytesh shpirtërisht në atë vdekje, që është akti i dashurisë së pafundme dhe universale të Zotit, i aftë ta shpëtojë çdo person e çdo krijesë nga skllavëria e mëkatit e nga vdekja. Askush s’mund të na ndajë nga kjo dashuri e Zotit, shpjegoi Shenjtëria e Tij. Ungjilli është rruga për të arritur plotësinë e jetës. Këtë rrugë e ka përshkuar edhe Jezusi, madje Ai vetë është rruga, që ne, përmes Tij, të shkojmë tek Ati. Ky është misteri i Ardhjes dhe i Krishtlindjes, përfundoi Papa Racinger, duke u uruar të gjithëve Festën e Lindjes së Foshnjes Hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.