365 ditë: "Dogma e Të ngjiturit të Zojës në qiell".
(11.12.2008 RV)“Ne shqiptojmë, deklarojmë e përcaktojmë se Nëna e Papërlyer
e Zotit, Maria gjithmonë Virgjër, si kreu shtegtimin tokësor, u pranua në qiell me
shpirt e me trup”. Një shpërthim i jashtëzakonshëm gëzimi pason fjalët e Papës
Piu XII. Sot, 1 nëntor 1950, turma ngarend në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë. Vetëm
ipeshkvijtë e ardhur për këtë ditë nga të katër anët e botës, janë shtatëqind e njëzet
e dy. Është vërtetë një rast tejet i posaçëm, sepse sot Kisha shpall një dogmë të
re, dogmën e Të ngjiturit të Zojës në qiell me trup e me shpirt. Që sot e tutje do
të jetë një e vërtetë e pranuar e nuk mund të vihet më në diskutim: Maria u ngjit
në qiell me trup e me shpirt. Në të vërtetë të krishterët e mbarë botës besojnë prej
kohe në këtë mrekulli. Për ta Maria, që e mbajti në kraharor Jezusin, që e ushqeu,
që e shtrëngoi ndër krahë, nuk mund të ndahej nga i Biri. Për besimtarët është logjike,
është normale. Jeta e saj, e filluar në mënyrë të jashtëzakonshme, me lindjen pa mëkat,
duhej edhe të përfundonte në mënyrë të jashtëzakonshme. Papa Piu XII e di mirë
se të krishterët besojnë ngultas në Të ngjiturit e Marisë në qiell. E di edhe se shenjtorët
më të mëdhenj, prej shekujsh, shkruajnë për këtë ngjitje të mrekullueshme. Po kjo
nuk mjafton për të shpallur një dogmë. Është fjala për një akt tepër të rëndësishëm,
që nuk mund të vendoset lehtë, sepse sapo të shpallet dogma, bëhet e vërtetë absolute
për të gjithë të krishterët, pjesë përbërëse fesë së tyre e nuk mund ta vënë më në
dyshim. Prandaj Papa, para se të vendosë, u drejton një letër të gjithë ipeshkvijve
të botës, duke kërkuar edhe mendimin e tyre. Rezultatet flasin vetë: 94% e ipeshkvijve
i përgjigjen menjëherë kërkesës së Papës e, ndërmjet tyre, njëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë
e nëntë e miratojnë dogmën; gjashtëmbëdhjetë e pranojnë Të ngjiturit e Zojës në qiell,
por janë të pasigurtë në se duhet bërë dogmë; gjashtë mendojnë se ndoshta nuk është
e nevojshme që Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell të bëhet e vërtetë e zbuluar.
Piu XII mori përgjigjen që priste dhe e shpalli dogmën e të Ngjiturit të Zojës në
qiell me shpirt e me trup.