2008-12-10 14:20:32

Përkujtohet 60 vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut


(10.12.2008 RV)Deklarata Universale e të drejtave të njeriut mbush sot 60 vjet. Është një nga aktet e para ndërkombëtare, miratuar nga OKB-ja më 10 dhjetor 1948. Nuk u nënshkrua vetëm nga vendet e bllokut sovjetik, ndër të cilat Shqipëria, nga Afrika e Jugut e nga Arabia Saudite.
Sot në botë, janë zhvilluar një sërë iniciativash për të përkujtuar 60-vjetorin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut. Po përmendim takimin e pasdites në Vatikan, me të cilin Selia e Shenjtë përkujtoi solemnisht këtë ditë të shënuar në historinë e njerëzimit. Gjatë fjalimit të tij, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone vuri në dukje se Deklarata e të Drejtave të Njeriut nuk përmban një seri nevojash për t’u plotësuar, por është një mënyrë e re për të konceptuar dinjitetin njerëzor, duke e konsideruar personin protagonist të jetës së tij, i thirrur t’i jetojë të drejtat e veta në bashkëndarje me të tjerët, në të cilët sheh “barazinë thelbësore” me veten, në frymën e vëllazërimit. Të drejtat e njeriut pra, theksoi kardinal Bertone, përcaktojnë një sërë vlerash, bazë për gjykimin e situatave të të gjitha kohërave e të të gjitha kulturave.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit u ndal më pas në rrënjët e krishtera të të drejtave të njeriut, në impenjimin e Kishës për mbrojtjen e tyre dhe denoncoi situatën e sotme të dhunimit të këtyre të drejtave, duke u ndalur tek liria fetare:
“Liria fetare – tha kardinal Bertone – rrezikon të kuptohet vetëm si liri e kultit, ose të interpretohet si element që i takon sferës private, gjithnjë e më tepër e zëvendësuar nga një lloj “e drejte për tolerancë”.
Liria fetare nuk është thjesht një çështje e besimtarëve, sqaroi kardinali Bertone, është çështje që ndikon në jetën e brendshme të shteteve dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Është masë për vlerësimin e demokracisë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit vuri në dukje se universaliteti i të drejtave të njeriut varet nga universaliteti i personit si i tillë dhe se në kohën e sotme, të drejtat janë të pandashme e nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën.


Por të shohim se ç’po ndodh me të drejtat e njeriut në botë, pikërisht në ditën e kremtimit të 60-vjetorit të Deklaratës Universale kushtuar atyre:
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha pranoi sot para gazetarëve se “ka shqiptarë që nuk trajtohen sipas ligjit, ka keqtrajtime në dhomat e paraburgimit”, por theksoi se qeveria do të bëjë ç’është e mundur për të ndëshkuar përgjegjësit e këtyre dhunimeve.
U arrestua në Pekin, shkrimtari Liu Ksijaobo, aktivist i të drejtave të njeriut dhe president i Pen Club, i cili ka nënshkruar sëbashku me 300 intelektualë thirrjen e njohur si Karta 2008, për të kërkuar më shumë demokraci në Kinë.
Qeveria laburiste australiane po zhvillon, nën udhëheqjen e një jezuiti, një konsultë kombëtare mbi mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të njeriut në vend, nga e cila duhet të dalë një Kartë të drejtash. Gjithashtu do të nënshkruhet protokolli i OKB-së kundër torturës e do të përpilohen ligje kundër përdorimit të saj në vend.
Avokatja iraniane, Nasrin Sotudeh, e impenjuar në çështje të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, u bllokua sot paradite në aeroportin e Teheranit, në të cilin shërbimi i sigurimit i sekuestroi pasaportën, duke e penguar të udhëtonte për në Itali, ku do të merrte një çmim.
Disidenti kuban dhe çmimi Sakarov 2002 i Parlamentit Evropian, Osvaldo Pajà Sardinas i ka dërguar një mesazh OKB-së, me të cilin fton vetë Kombet e Bashkuara t’i kërkojnë Havanës respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Deklarata e 1948-ës është një pikëmbërritje për njerëzimin, por duhet të jetë edhe pikënisje. Sot ajo e ruan të gjithë potencialin e saj, që nuk shuhet, madje kërkon një konsensus më të madh për t’u kthyer në akte konkrete. Në fakt, Deklarata Universale jo vetëm duhet të mbrojë lirinë e rregullat e saj, por duhet edhe të pengojë që ato të degjenerojnë në mohimin e primatit të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.