2008-12-10 17:50:56

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: Krishti është fillesë e jetës së re për njeriun


(10.12.2008 RV)RealAudioMP3 Askush nuk bëhet i krishterë vetvetiu, por vetëm përmes takimit me Jezu Krishtin: këtë nënvizoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI në Vatikan. Gjatë katekizmit, Ati i Shenjtë u përqëndrua tek mësimi i Shën Palit mbi risinë që solli Jezu Krishti në historinë e njeriut. Më pas u ndalua tek kuptimi i thellë i Pagëzimit, i Eukaristisë dhe i Kishës, si Korp Mistik, temë qëndrore e doktrinës së Shën Palit.
“Shpërdorimi i lirisë, që i kundërvihet së vërtetës dhe vullnetit hyjnor, i ndot realitetet njerëzore e, posaçërisht, marrëdhëniet kryesore: atë me Zotin, të burrit me gruan e të njeriut me natyrën”. Benedikti XVI e nisi katekizmin pikërisht me këto fjalë, e më pas nënvizoi se Jezu Krishti fitoi mbi këtë ndotje. Me Të, na mëson Shën Pali, historia e njerëzimit njohu një fillim të ri:

“Me Të, që vjen nga Hyji, fillon një histori e re, e formuar nga ‘po’-ja që Ai i tha Atit, e formuar jo nga nga krenaria e një emancipimi të rremë, por nga dashuria e vërtetësia”.
 
Por – pyeti Papa - si mund të hyjë Jezusi në jetën time? Si mund ta shndërrojë atë? Përgjigja e Shën Palit është se Jezusi hyn në jetën tonë përmes Shpirtit Shenjt, i cili në Rrëshajët krijoi njerëzimin e ri. E ky Shpirt krijon një jetë të re, u jep fund përçarjeve, duke u shërbyer nga dy elemente: nga kumtimi i Fjalës së Zotit dhe Sakramentet, posaçërisht nga Pagëzimi dhe Eukaristia. Papa ripohoi kështu se feja nuk është fryt i mendimit tonë, por dhuratë e Zotit:

“Feja nuk vjen nga leximi, por nga dëgjimi. Nuk është vetëm shpirtërore, por është marrëdhënie, hamendëson një takim, ekzistencën e tjetrit, që e kumton dhe e krijon bashkimin”.

 
Askush - vijoi të reflektojë Ati i Shenjtë – nuk mund të bëhet i krishterë vetvetiu. Vetëm Krishti mund ta themelojë Kishën. E nga Kisha marrim fenë, duke nisur nga sakramenti i Pagëzimit, i cili është më shumë se pastrim. Është vdekje e ringjallje. Nga ana tjetër - vijoi Benedikti XVI – edhe materia bën pjesë në Sakrament. Krishterimi nuk është pastërtisht shpirtëror, me që ka të bëjë edhe me korpin – shpjegoi Papa, e më pas vuri theksin mbi risinë themelore që sjell krishtërimi:

“Të bëhesh i krishterë është diçka më shumë se një operacion kozmetik, që mund t’i shtojë diçka të bukur një ekzitence pak a shumë të plotë. Është një fillesë e re, është rilindje, vdekje e ringjallje”.
 
Meditimi vijoi me mësimin e Shën Palit mbi Eukaristinë. Premtimi i Besëlidhjes së Re – tha Ati i Shenjtë – realizohet në flijimin e Jezusit nga dashuria për njerëzit. Por, cili është kuptimi i thellë i Eukaristisë?
 
Të kremtosh Eukaristinë, do të thotë ta ndjesh thellë në shpirt se Krishti na jep vetveten, dashurinë e tij, për të na bërë të ngjashëm me Të e për të krijuar një botë të re”.

 
Kështu Papa u ndalua tek përmasa e bashkimit me Zotin në Sakramentin eukaristik. Krishti – shpjegoi Ati i Shenjtë – bashkohet me secilin nga ne, por edhe me të afërmin tonë e kështu i bashkon të gjithë me Vetveten, Ja, pra, pse Eukaristia pa solidaritetin me të tjerët, është Eukaristi e shpërdoruar. Nga kjo konsideratë - shtoi Ati i Shenjtë – mund të arrijmë tek kuptimi i doktrinës së Shën Palit për Kishën si Korp:

“Kisha nuk është vetëm një korporacion si Shteti. Është korp, nuk është organizatë, por organizëm”.

 
Më në fund Papa foli edhe për martesën, gjithnjë sipas Shën Palit, duke theksuar se mund të jetë e vërtetë dhe e qëndrueshme, në se mbetet e lidhur ngushtë me fjalën e Zotit e me premtimet e Pagëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.