2008-12-09 16:47:25

365 ditë: "Ipeshkvijtë rumunë, martirë të komunizmit".


(09.12.2008 RV)RealAudioMP3 Pas përfundimit të Luftës II Botërore (1939-1945) vendet e Evropës Lindore (Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania etj) qeverisen nga komunistët. Të drejtat e njeriut, e sidomos liria e fesë, shkelen mizorisht. Njeriu nuk mund ta dëshmojë lirisht fenë e vet. Në Rumani, për shembull, janë dy Kisha: ajo ortodokse, e kontrolluar rreptësisht nga qeveria, e ajo katolike, e persekutuar. Në vitin 1949 gjashtë ipeshkvij katolikë burgosen në manastirin ortodoks të Kaldarusanit. Natën e Krishtlindjes mblidhen fshehurazi në Kishë. Tek këmbët e tyre, një njeri me krahë hapur: Tit Liviu Kinèzu. Është meshtar, edhe ai i burgosur. Luten së bashku e pastaj, kur meshtari ngrihet nga dyshemeja, gjashtë shokët i vënë duart mbi kokë dhe e pëqafojnë. Sapo e kanë shuguruar ipeshkëv.
Këta gjashtë burra e dinë se lidhja e pashkëputshme me Kishën e Romës e me Papën, përbën një rrezik serioz për jetën e tyre. Mund të mbyten nga çasti në çast. Prandaj e shuguruan të riun Tit Liviu ipeshkëv, duke shpresuar se ai do të shpëtojë e do të sigurojë kështu vazhdimësinë e ipeshkvijve. E frika e tyre nuk vonon të vërtetohet....
Në moshën shtatëdhjetë e tri vjeçare, Valeriu Traian Frenciu, më i vjetri, internohet në burgun famëkeq të fortesës Siget. Një ditë i lë pa mend rojet. Ata sapo e kanë shkelmuar, e ai ngre dorën... për t’i bekuar. Do të vdesë pak kohë më pas.
Ndërsa imzot Vasile mbytet në vitin 1950 nga oficerët e sigurimit, gjatë kohës kur ‘po e merrnin në pyetje’.
Edhe imzot Aleksandru Rusu është shtatëdhjetë e tri vjeç. I dënuar me njëzet e pesë vjet punë të detyruar, i falënderon përzemërsisht gjykatësit për optimizmin.... Do të vdesë në burgun e kobshëm të Gerlës.
Imzot Suciu vdes më 1953 në burgun e Sigetit.
Imzot Anton Durkoviçi, që ka bërë gjithnjë jetë asketike, i çudit edhe xhelatët me qëndresën e pashembullt. Por nuk mund ta përballojë dimrin e ashpër të 1951-it e vdes edhe ai në Siget. Po në këtë burg ndërron jetë edhe ipeshkvi i ri, Tit Liviu Kinezu. Shpëton vetëm një ipeshkëv: imzot Julio Hosu.Kisha rumune del e gjallë nga ky persekutim i tmerrshëm, por mijëra të krishterë, burra, gra e fëmijë, në vendet e bllokut komunist, humbasin jetën për shkak të fesë së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.