2008-12-08 18:29:16

Në gjunjë para Zojës së Papërlyer, i lutemi


(08.12.2008 RV)Në një takim, tashmë tradicional, ndodhemi simbolikisht në Sheshin e Spanjës, për t’i dhuruar lulet tona Zojës së Bekuar, në ditën kur Kisha mbarë kremton festën e Zënies së pafaj të Saj. Bashkohemi me besimtarët e Romës, për t’u gjunjëzuar me dashuri bijnore në këmbët e Marisë, e cila që prej pesëqind vjetësh vigjëlon mbi Qytetin e Amshuar nga lartësia e një shtylle, ku e vedosi populli romak. Marrim pjesë në një gjest feje e devocioni, i cili përsëritet nga viti në vit, gati si të donte t’i ripohonte besnikërinë Asaj, që na siguron ndihmën dhe mbrojtjen amtare në të gjitha rrethanat e jetës së përditshme.
Mblidhemi simbolikisht rreth një Nëne krejt e veçantë, zgjedhur nga Hyji për një mision të pashembullt e misterioz, për të lindur në jetën tokësore Fjalën e amshuar të Atit, që erdhi në botë për shpëtimin e të gjithë njerëzve. E Maria, e papërlyer në zënien e saj virgjërore – kështu e nderojmë sot me mirënjohje të devoçme – e përshkoi shtegtimin e saj tokësor mbështetur mbi një fe guximtare, mbi një shpresë të palëkundshme, mbi një dashuri të përvujtë e të pakufishme, duke ecur në gjurmët e të Birit, Jezusit. Ishte pranë tij me dashuri amtare nga lindja, deri në Kalvar, ku e pa duke u kryqëzuar, e bërë gur nga dhimbja, por pa e humbur për asnjë çast shpresën. Ajo provoi, më pas, gëzimin e ngjalljes, në agimin e së tretës ditë, të ditës së re, kur i Kryqëzuari u ngrit nga varri duke ngadhënjyer përgjithnjë e përfundimisht mbi pushtetin e mëkatit e të vdekjes.
Maria, në kraharorin virgjëror të së cilës Hyji u bë njeri, është Nëna jonë. Nga lartësia e Kryqit Jezusi, para se ta kryente plotësisht flijimin e tij, na e dhuroi si Nënë e na lëshoi në duart e Saj, si bijtë e tij. Mister i mëshrirës e i dashurisë, dhuratë që pasuron Kishën me amësi shpirtërore. T’i sjellim sytë tanë nga Ajo, e, duke i kërkuar ndihmë, të zotohemi ta bëjmë tonin çdo mësim amtar të Saj. A nuk na fton kjo Nënë qiellore të ikim nga e keqja e të bëjmë të mirën, duke ndjekur me bindje ligjin hyjnor, të shkruar në zemrën e çdo të krishteri? Ajo, që nuk e humbi shpresën edhe në kulmin e provës, a nuk na kërkon të mos dëshpërohemi, edhe atëherë kur vuajtja e vdekja trokasin në portat e shtëpive tona? A nuk na kërkon të shikojmë plot besim drejt së ardhmes? A s’na nxit Virgjëra e Papërlyer të jemi vëllezër njëri me tjetrin, të bashkuar në impenjimin për të ndërtuar së bashku një botë më të drejtë, më solidare e më paqësore?
Edhe një herë në këtë ditë solemne, Kisha i tregon botës Marinë si shenjë e sigurtë e shpresës dhe e fitores përfundimtare të së mirës mbi të keqen. Ajo, që e quajmë ‘Hirëplote’, na kujton se jemi të gjithë vëllezër e se Hyji është Krijuesi ynë e Ati ynë. Pa Të, e aq më keq kundër Tij, ne njerëzit nuk mund ta gjejmë kurrë rrugën që të çon në dashuri, nuk mund ta mposhtim kurrë pushtetin e urrejtjes e të dhunës, nuk mund të sigurojmë kurrë një paqe të qëndrueshme.
Urojmë që njerëzit e të gjitha kombeve e kulturave ta pranojnë këtë mesazh drite e shprese: ta pranojnë si dhuratë nga duart e Marisë, Nënës së mbarë njerëzimit. Në se jeta është shtegtim, e në se ky shtegtim bëhet shpesh i errët, i vështirë e i mundimshëm, cili yll mund ta ndriçojë? Mos të harrojmë: Kisha e shikon Marinë dhe i lutet si ‘yll i shpresës’. Gjatë lundrimit tonë të përbashkët në detin e historisë, kemi nevojë për ‘drita shprese’, për njerëz që e marrin dritën nga Krishti e na japin, kështu, drejtimin për shtegtimin tonë. E kush më mirë se Maria mund të jetë për ne “Yll i shpresës”? Duke iu përgjigjur ‘po’ ftesës së Krijuesit, Maria krijoi kushtet që shpresa e mijëravjeçarëve të bëhej realitet, të hynte në botë e në histori. Përmes Saj Hyji u mishërua, u bë një nga ne, e nguli banesën mes nesh.
Prandaj, përplot me besim bijnor, t’i themi: “Na mëso, o Mari, të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me ty; na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit. Ti, Yll i shpresës, që na pret zemërdredhur në dritën e paperëndim të atdheut të amshuar, shkëlqe mbi ne e na prij në të përditshmen tonë, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.