2008-12-08 18:31:17

365 ditë: "Tomas Merton, të fton në heshtjen ku banon Zoti".


(08.12.2008 RV)Sonte ra dëbora e parë. Heshtja është dhe më e thellë se zakonisht... Ndonëse ky manastir i humbur në Kentaki, një shtet në skajet e SHBA, është gjithnjë i zhytur në heshtim. Por këtë mëngjes të duket sikur natyra e ka humbur çdo tingull.
Murgu Tomas Merton drejtohet nga studioja e tij, e mbuluar edhe ajo me një shtresë të dendur, të bardhë.. kartash, letrash, zarfash. Tomas Merton qesh: duhet të punojë rëndë, për ta shkrirë gjithë këtë dëborë! E sot, kur të arrijë posta, do të marrë përsëri dhjetra letra. E të mendosh, pastaj, se ka edhe nga ata, të cilët mendojnë se murgjërit nuk dinë ç’bëhet në këtë botë, sepse jetojnë jashtë saj.
Ndërsa Tomas Mertoni, që kur hyri në kuvend, e ndjen veten edhe më afër botës. Para se të hynte në këtë vend, kaloi një jetë të çkujdesur, udhëtoi shumë, takoi shumë njerëz, jetoi në qytete e mëdha evropiane e amerikane. E pra i duket se vetëm tani po jeton me të vërtetë në gjjrin e botës së madhe. Për ta shpjeguar këtë ndjesi mahnitëse, ka shkruar një libër, titulluar ‘Mali me shtatë krepa”, botuar në nëntor të vitit 1948, në të cilin flet për përvojën e tij si trapist (trapistët janë murgjërit e Urdhërit, i cili bazohet kryesisht mbi heshtjen e lutjen). Por murgu nuk jeton në kuvendin e vet, si të ishte në vetminë e shkretëtirës: i ka në zemër të gjithë njerëzit, lutet për ta, jeton shpirtërisht me gëzimet e vuajtjet e tyre, ia flijon veten Zotit për lumturinë e tyre. Pikërisht këtë shpjegon Tomasi në ‘Malin me shtatë krepa”. Ta kalosh jetën tënde në lutje është një mënyrë e mrekullueshme për ta dashur botën.
Vepra e Tomas Mertonit pati një sukses të jashtëzakonshëm. Autori merr letra nga të katër anët e SHBA: lexuesit duan të dinë më shumë, i kërkojnë këshilla… E kjo dëshmon se ‘mjeshtria’ e murgut nuk është pa interes para syve të botës. Provë tjetër është edhe numri i njerëzve, që tërhiqen nga kjo jetë e cila i kushtohet krejtësisht lutjes e heshtjes. Që prej njëzet vjetësh, në këto anë, manastiret amerikane janë pothuajse të zbrazura. Tani, falë murgjërve, si Tomas Mertoni, që kanë arritur ta kapin thellësisht kuptimin e jetës murgare, kuvendet popullohen rishtas e i dhurojnë njerëzve mundësinë të jetojnë në lutje të thellë, në zemër të heshtjes, ku banon Zoti.
“I dashur vëlla, të falënderoj për lutjet, që i drejton Zotit për ne, banorët e qyteteve. Kemi vërtetë nevojë për ju. Por desha t’ju bëj një pyetje....”.Tomasi qesh. Jo, nuk e ndjen fare veten jashtë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.