2008-12-06 17:29:58

Shën Ambrozi, ipeshkëv e dijetar i Kishës.


(07.12.2008 RV)I jashtzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para se të pagëzohej.
I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë e gojtari. Si u bë avokat e më pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali. Më pas u transferua përfundimisht në Milano. Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv. Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani, u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë, sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij. Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin.
Ai që thoshte: “Ku është Pjetri, atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor, së bashku me Shën Karl Borromeun. Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos.
Me jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit.
E me 24 tetor 2007, duke u ndaluar tek figura e ipeshkvit të Milanos, Ambrozit, Papa u drejtoi një porosi atërore prelatëve të mbarë botës, duke i nxitur të mos e shikojnë kurrë katekizmin shkëputur nga dëshmia e jetës:
 “Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.