Papa ngushëllon për vdekjen e Patrikut të Moskës Aleksejt II.
(07.12.2008 RV)Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Aleksej II, vdiq të premten
e kaluar, më 5 dhjetor. Menjëherë pasi e mori këtë lajm të hidhur, Benedikti XVI i
dërgoi një mesazh ngushëllimi Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Ruse. Mesazhi
u botua në faqen e parë të gazetës ‘L’Osservatore Romano’ të së shtunës, 6 dhjetor. Ndërmjet
tjerash, Papa shkruan: “I lutem Zotit ta pranojë në mbretërinë e tij të paqes e të
gëzimit të amshuar këtë shërbëtor të Tij të palodhur e t’i ngushëllojë të gjithë ata,
që janë në zi për humbjen e tij. Mirënjohës për impenjimin e përbashkët në rrugën
e mirëkuptimit e të bashkëpunimit reciprok ndërmjet ortodoksëve e katolikëve, nuk
mund të mos kujtoj përpjekjet e Patrikut të ndjerë për rilindjen e Kishës, pas persekutimit
të egër ideologjik, që shkaktoi martirizimin e shumë dëshmitarëve të fesë së krishterë.
Kujtoj edhe betejën e mirë për mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe ungjillore, së cilës
Ai i priu sidomos në Kontinentin evropian, duke uruar që impenjimi i tij të japë fryte
paqeje e progresi të vërtetë njerëzor, shoqëror e shpirtëror. Në orën e vështirë të
ndarjes, ndërsa trupi i tij i besohet tokës, në pritje të ringjalljes, kujtimi i këtij
Shërbëtori të Ungjillit të Krishtit i ngushëlloftë ata që janë në zi e u dhashtë zemër
atyre që do të vijojnë rrugën e tij në udhëheqjen e Kishës së nderuar Ortodokse Ruse”.
Patriku Aleksej II do të varroset të martën e ardhshme në katedralen e Dëftimit, në
Moskë. Trupi i të ndjerit u vendos që dje për homazhe, në katedralen e Krishtit Shëlbues.