2008-12-06 17:30:42

Kuptimi i dyfishtë të shprehjes ‘Kjo është njerëzore’.


(07.12.2008 RV)RealAudioMP3 Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, ndërmjet tjerash, Benedikti XVI shpjegoi edhe kuptimin e dyfishtë të shprehjes ‘kjo është njerëzore’, e cila përdoret aq shpesh në kohën tonë më shumë për të përligjur veset, se për të miratuar virtytet. Ja edhe shpjegimi i Papës:

“Si pasojë e pushtetit që ka e keqja mbi shpirtin tonë, në histori nis të rrjedhë një lumë i ndyrë, që e helmatis gjeografinë e historisë njerëzore. Mendimtari i madh francez Blez Paskal foli për ‘një natyrë të dytë’, që vihet mbi natyrën tonë të mirë fillestare. Kjo ‘natyrë e dytë’ bën që e keqja të duket si diçka normale për njeriun. Kështu edhe shprehja, që përdoret rëndom “Kjo është njerëzore”, mund të ketë kuptimin: ky njeri është i mirë, vepron ashtu si duhet të veprojë një njeri i vërtetë. Por ‘kjo është njerëzore’ mund të ketë edhe kuptimin e rremë, sipas të cilit e keqja mund të shikohet si diçka normale, sepse qenka njerëzore. Kështu e keqja duket sikur është bërë natyrë e dytë. Kjo kundërshti e qenies njerëzore, e historisë sonë, duhet të ngjallë e ngjall edhe sot, dëshirën për t’u çliruar nga mëkati. E njëmend, dëshira që bota të ndryshojë e premtimi se do të ndërtohet një botë në të cilën do të mbretërojë drejtësia, paqja, mirësia, janë të pranishme kudo: në politikë, për shembull, të gjithë s’pushojnë së përsërituri se duhet ndryshuar bota, se duhet krijuar një botë më e drejtë. E pikërisht kjo është shprehje e dëshirës për t’u çliruar nga kundërshtia që provojmë në shpirtin tonë.
Mund të themi, pra, se fakti i pushtetit të së keqes në zemrën e njeriut e në histori është i pamohueshëm. Çështja është: si shpjegohet kjo e keqe?
“Lumit të së keqes” që hyri në histori me mëkatin e rrjedhshëm të Adamit të parë, Hyji i kundërvuri ‘lumin e pastër të së mirës’, me ardhjen e Birit të tij, ‘Adamit të ri’. E në këtë këndvështrim duhet kuptuar edhe sot mëkati i rrjedhshëm, shenjë e lirisë njerëzore për të zgjedhur dhunën ose dashurinë. Kjo është njerëzore!







All the contents on this site are copyrighted ©.