Ligj për eutanazinë: imzot Fizikela i fton parlamentarët e Luksemburgut të mos vihen
në vendin e Krijuesit!
(05.12.2008 RV)Këto ditë Parlamenti
i Luksemburgut përgatitet të vërë në votë ligjin për depenalizmin e eutanazisë, të
cilin të hënën e kaluar, Duka i Madh Henry nuk pranoi ta nënshkruante për arsye ndërgjegjeje.
E kjo, sepse kur ligji të miratohet, duke pasur parasysh se kryeministri Junker propozoi
ta korrigjojë kushtetutën, për të kapëcyer fuqinë e vetos së sovranit, vendi do të
hyjë ndërmjet pak kombeve evropiane, që e kanë pranuar eutanazinë. Lidhur me këtë,
kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Rino Fizikela, botoi një kryeartikull
në faqet e së përditshmes së KII ‘Avvenire”. Mbi të gjitha – shkruan imzot Fizikela
– paradoksalisht, askujt nuk i shpëton një kontradiktë e thellë: ndërsa Parlamenti
luksemburgez shkon drejt pranimit të eutanazisë, diskutohet një ligj tjetër për mjekimet
paliative, që lehtësojnë vuajtjet e njeriut me sëmundje të rënda, të pashërueshme.
Nga njëra anë i zgjatet dora të sëmurit në prag të vdekjes, duke ia lehtësuar me të
drejtë vuajtjet e fundme, e nga ana a tjetër merren në dorë armët për t’i dhënë goditjen
fatale, me miratimin e eutanazisë si rrugëzgjidhje përfundimtare. Jeta nuk është mall
tregu, vlera e të cilit mund të diskutohet – shpjegon kryetari i Akademisë Papnore
për Jetën. Ajo, pavarësisht nga çdo lloj ligji hartuar prej njerëzve, do të vijojë
të bazohet gjithnjë mbi parimin e paprekshmërisë e të shenjtërisë, që nuk mund të
cënohet nga asnjë lloj aksioni politik. Pasi citon Enciklikën ‘Evangelium Vitæ”
të Gjon Palit II, në të cilën pohohet se ‘vrasja e drejtpërdrejtë dhe e vetëdijshme
e njeriut të pafajshëm është gjithnjë tepër imorale”, prelati vijon me Notën
doktrinore të Kongregatës për Doktrinën e Fesë lidhur me qëndrimin e katolikëve në
jetën politike, duke ripohuar me forcë se të gjithë katolikët, që impenjohen drejtpërdrejtë
në përfaqësitë ligjore, e kanë për detyrë t’i kundërvihen çdo ligji që mund të konsiderohet
si atentat kundër jetës njerëzore. Prandaj – nënvizon Imzot Fizikela – “parlamentarët
katolikë duhet ta përdorin votën për t’iu kundëvënë çdo ligji që e mbështet eutanazinë”.
E kjo vlen për politikanët dhe parlamentarët katolikë të të gjitha vendeve të botës
e, natyrisht, edhe për besimtarin më të thjeshtë katolik. Askush nuk mund të pretendojë
të bëhet zotëria i jetës e i vdekjes – vëren në përfundim të editorialit imzot Fizikela
- dhe shton: “Ligji për mosdënimin e eutanazisë nuk e bën as më të madhe e as më të
vogël të keqen objektive që përmban. I vetmi emendament i vlefshëm do të ishte shfuqizimi
i tij”.