2008-12-05 18:46:36

365 ditë: "Izraël Zoli, kryerabini i Romës kthehet në fenë e krishterë".


(05.12.2008 RV)Në atë mëngjes të akullt shkurti të vitit 1945, një lajm i pabesueshëm qarkullon ndërmjet hebrenjve, që banojnë në Itali: kryerabini i Romës, Izraël Zoli, ka marrë sakramentin e Pagëzimit.
Rabini është kryetar i hebrenjve: titulli kryerabin tregon se është rabin shumë i rëndësishëm. Është e natyrshme, prandaj, që lajmi t’i lërë me gojë hapur hebrenjtë italianë. Shumë prej tyre janë thellësisht të hutuar. Do ta kishin kuptuar disi këtë pagëzim, sikur të kishte ndodhur dy vjet më parë, ose një vit më parë, kur Italia ishte nën kontrollin e nazistëve e, si në të gjitha vendet e pushtuara nga Hitleri, hebrenjtë ishin në rrezik të madh. Kryerabini mund të ishte bërë i krishterë për të shpëtuar nga mizoritë naziste. Por të gjithë e dinë se kjo lloj dredhie nuk i shkon për shtat Izraël Zolit. Kryerabini, njeri shumë guximtar, nuk është përpjekur asnjëherë të largohet nga Italia, që kur shpërtheu lufta. Vendosi të fshihej, së bashku me hebrenjtë e Romës e t’i ndihmonte në këto vite të tmerrshme. Gjermanët u larguan nga Roma një vit më parë, në qershor 1944, sepse po e humbisnin luftën. Kërcënimi tashmë është i papërfillshëm. Atëherë ç’e shtyu Israëlin të braktiste fenë e vet?
Në të vërtetë Kryerabini i Romës kishte filluar prej kohe të interesohej për Jezusin, ndonëse në fillim nuk besonte se Krishti ishte Biri i Hyjit. Para lufte pati shkruar edhe një libër për Të. Ndoshta vitet e persekutimit e bënë ta njohë më mirë këtë ‘Bir të Zotit’, në të cilin hebrenjtë nuk besojnë. Jezusi ishte i pafaj, e megjithatë u dënua me vdekje. Historia tij e ndihmoi shumë Izraelin t’i bënte ballë tmerreve të luftës: rabini mendonte se ky Bir i Izraelit, i mbytur padrejtësisht, u ngjiste shumë të gjithë hebrenjve të arrestuar nga nazistët.
Në rrugën drejt pagëzimit e ndihmoi shumë një njeri jo i zakonshëm: Papa Piu XII. Në Romë, gjatë luftës, Piu XII bëri gjithçka ishte e mundur për të shpëtuar sa më shumë hebrenj. U kërkoi të gjitha kishave e kuvendeve të Romës t’i strehonin refugjatët e t’i mbanin fshehur deri në fund të luftës. Kështu arriti të shpëtojë katër mijë hebrenj. Prandaj nuk ishte aspak e rastit që, kur u pagëzua, Israël Zoli zgjodhi emrin Eugjen. Piu XII, para se të bëhej papë, quhej Eugjen Paçeli. Një nderim urtë, për një mbrojtës të urtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.