2008-12-04 17:57:28

Mjekët pa kufi ndihmojnë Zimbabven kundër kolerës.


(04.12.2008 RV)RealAudioMP3 Përballë shpejtësisë me të cilën po përhapet epidemia e kolerës në vend, – e cila sipas burimeve vendore ka shkaktuar deri tani 550 viktima dhe 12 mijë të infektuar – autoritetet e Zimbabves shpallën gjendjen e emergjencës kombëtare. Ministria e shëndetit në Harare, pohoi se po zhvillohen bisedime me organizata ndërkombëtare për të organizuar një plan ndihmash në shkallë të gjerë. Ekipe të ndryshme të “Mjekëve pa Kufi” gjenden tashmë në vend dhe po punojnë në ndihmë të popullsisë. Po, cila është veprimtaria e tyre? Këtë na e shtjellon më tej Andrea Pontiroli, përfaqësues i kësaj organizate:

Përgjigje: Ekipet tona po bashkëpunojnë me ministrinë e shëndetit për të mjekuar njerëzit e infektuar. Nuk kemi të dhëna të sakta, por ekipet tona lëvizin nga vendi në vend sa herë që njoftohen se ka raste të reja epidemie. Vazhdojnë të gjejnë vatra të reja infeksioni në shumë zona të vendit.

Pyetje: Cili është shkaku i kësaj epidemie?

Përgjigje: Kolera shkaktohet si gjithnjë aty ku nuk ka kushte higjenike dhe mbipopullim. Zimbabveja i ka prej vitesh këto, përveç papunësisë, inflacionit të lartë, mungesës së ushqimit dhe të varfërisë në përgjithësi. Të gjitha këto janë shkaqe të dyta të këtij problemi.

Pyetje: Me barnat e përshtatshme kolera nuk shkakton vdekje, apo jo?

Përgjigje: Kolera, me kura të përshtatshme nuk shkakton vdekje, por fatkeqësisht nëse kapen në dorë vonë, pacientët me këtë sëmundje mund të vdesin.







All the contents on this site are copyrighted ©.