2008-12-04 18:05:09

365 ditë: "Shugurimi i Karl Laisner: fitore e dritës mbi errësirën".


(04.12.2008 RV)RealAudioMP3 Është data 17 dhjetor 1944 e ndodhemi në kampin e përqendrimit të Dakaut, në Gjermani. Vdekja endet ndër skajet më të fshehta të kampit.... përveç bllokut 26, ku ndodhet ajo që njihet si kapela e barakës së priftërinjve.
Sapo ka hyrë numri 22356. Shkuan e e thirrën fshehurazi. Me fytyrën e tretur, kollën e thatë, trupin kockë e lëkurë, Karl Laisner është tashmë hija e vetvetes. Tuberkulozi ka nisur t’ia shkatërrojë mushkëritë, e edhe jetën. E megjithatë, në fytyrën e të burgosurit shkëlqen një dritë misterioze, shpirtërore. Për të e sotmja nuk është ditë si gjithë të tjerat. Nën hundën e xhelatëve nazistë, diakoni i ri gjerman do të shugurohet meshtar. Imzot Pige, ipeshkëv i qytetit francez Klermon-Ferra, edhe ai i internuar, do t’i japë shugurimin meshtarak. Karl Laisner do të ishte bërë meshtar pesë vjet më parë, por lufta e internimi e ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve. Megjithatë, ai vijoi të ketë të njëjtën dëshirë. Në prag të vdekjes, i riu njëzet e tetë vjeçar, dëshiron më shumë se kurrë të bëhet meshtar.
Organizimi i kremtimit nuk ishte aspak i lehtë, aq më tepër sepse imzot Pige pranon ta shugurojë Karl Laisnerin vetem në se ndiqen të gjitha rregullat e respektohet riti i sakramentit.
Pengesa e parë: duhej marrë autorizimi i ipeshkvit të dioqezës së meshtarit të ardhshëm. E kështu, pas disa ditësh, Karli merr një letër nga e motra. Ngatërruar mes lajmeve nga familja, disa fjalë shkruar me dorën e ipeshkvit, autorizojnë shugurimin. Pastaj hyjnë fshehurazi në kamp sendet e nevojshme për të kremtuar sakramentin: bagmi i shenjtë, teksti i ritit të shugurimit, dorezat.. Përsa i përket verës së Eukaristisë, përgatitet me rrush të thatë të zbrujtur në ujë. Të gjithëve iu desh të përballonin shumë rreziqe, për ta bërë sa më prekës këtë kremtim.
Kremtimi nis në mes të të gjithë meshtarëve të kampit, mbledhur në bllokun numër 26. Ndërsa i afrohet elterit të vogël të kapelës, Karl Laisner, i sëmurë e i vuajtur, i ngjet vetë Krishtit të përulur nga dashuria për njerëzit. Është shenjë e gjallë e shpresës, në kampin e vdekjes. Për fat të keq meshtari i ri do të jetonte fare pak pas shugurimit. Do të vdiste tetë muaj më vonë në Bavari, më në fund i lirë. Por shugurimi i tij mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e fitores së dritës mbi errësirën.







All the contents on this site are copyrighted ©.