Mbi veprën "Letërsia e pame ndryshe" të autorit Zef Simoni, Ipeshkëv
Ky libër, që i paraqitet lexuesit nga Monsinior Zef Simoni, - "Letërsia e pame ndryshe"
- pa synue për të qenë një monografi kritike analitike, e hollësishme e gjithpërfshise
e letërsisë sonë, ravijëzon në një vështrim panoramik personalitetet e letrave tona,
përbasit ma të qenësishëm të veprave letrare, kumteve të tyne, duke ndërthurë aty-këtu
edhe shpjegime për çashtje të ndryshme teorike të artit, qenësisë së tij, marrëdhënieve
të tij me realitetet shoqnore; kryesisht, me religjionin dhe moralin. E shkrueme
me dorën e një shqetësimi të vetëdijshëm, të thellë e nevralgjik ndaj ndikimeve të
përmbajtjeve e mesazheve letrare negative dhe vlerësimeve të gabueme a të ndergjegjshme
e të qellimshme të kritikës letrare në të kaluemen, dhe me përkushtimin human të një
prifti ndaj misionit të vet, që asht qiellor pikërisht sepse asht i lidhun ngusht
me tokën e hallet e saj, vepra godet pa mëshirë "mëkatet", tue shtrue nevojën e "pendesës"
dhe katarsit. Bukuritë e artit letrar dhe vlerat e tij estetike, njohëse e edukative
vihen në peshojën e një kriteri të vetëm kategorik: moralit të veprës letrare. "Artet,
letërsia janë vepër e shpirtit, që i jep frymë religjioni. Religjioni nuk asht art,
por vertëtësi e mbinatyrshme prej kah vjen edhe fuqia e virtyteve dhe e frymëzimit".
E shprehun ndryshe në këtë vepër, lëtërsia trajtohet nga pozitat e një besimtari;
ma tej, të një besimtari katolik dhe ma përtej, të një prifti, bile të një ipeshkvi,
dhe, njëkohësisht, edhe të një letrari e kritiku, që i njeh letërsisë një mision të
naltë edukativ, moral, estetik, dhe patriotik. Diktue nga qëllimi i trajtimit
të landës dhe nga kriteri i këtij trajtimi, vepra fiton një fizionomi strukture të
veten, origjinale. Jepen vlerat ma spikatëse për shkrimtarët, përgjithësisht, pa u
futë në analiza të plota veprash, krtikohen pikëpamjet dhe mesazhet, që kanë sjellë
ndikime negative në formimin e lexuesve. Shkrimet kundër besimit, kundër Zotit "në
vend që të sjellin përparim, bijnë regres, në vend të shpëtimit disfatën, në vend
të lirisë terrorin, të qetësisë shpirtnore vrasjen shpirtnore e në vend të rendit
anarkinë". Kështu, tehut të ashpër të kritikës nuk i kanë shpëtue as kulmet e
letërsisë sonë aq të vlerësuem në studimet e deritashme, si Naimi, Noli, Konica, Koliqi,
etj. Damtimet në moralin e veprës letrare - argumenton autori - kanë rrjedhë nga ndikimet
filozofike, sociologjike e politike të doktrinave, që bien ndesh me moralin fetar,
e damtojnë apo e mohojnë atë. Në mënyrë të veçantë, janë kritikuar ndikimet nga deizmi,
panteizmi, iluminizmi në fillim dhe që kanë përfundue tek pozitivizmi e materializmi.
Deizmi dënohet si rrugë që futë mësimin dhe idenë se Perendia nuk ka asnjë lidhje
me botën. Simbas kësaj doktrine, Zoti asht vetëm një spektator e njerëzimi ka punën
e vet ndër të mira e ndër të këqija. Në vijë të këtij gjykimi, autori shtron pyetjen:
"Çka kishin me na u dashtë ne lidhjet me njeni - tjetrin, po të mungojshin lidhjet
me Zotin e të Zotit me ne?" Mësimet e ilumistave me idetë e tyne çuan tek pozitivizmi
i August Compte-s, "një teori reaksionare me ide të kufizueme, që do të përjashtojshin
me përbuzje të mbinatyrshmen". Kritikohet deizmi i Samiut dhe panteizmi i Naimit që
"e ban të njajtë Zotin me materien", tue i hapë rrugën materializmit dhe darvinizmit
ekstrem. Shumë ashpër kritikohet Çajupi, që përveç se asht "shkrimtar i sa shkrimeve
atdhetare e vjershave të bukura", asht kundërshtar i besimit dhe antiklerikal. Me
anën e një pyetjeje retotike të fuqishme, autori i drejtohet lexuesit: "A me këso
idesh do të mbëkambet Shqipënia?! Cila kishte për të kenë detyra jonë të dojë e të
çmojë për hir të disa rreshtave të mirë e letrarë persona që nuk duen të njohin Zotin
e ta luftojnë?" Mbasi jepen vlerësimet ma të nalta për Nolin "fjala e të cilit
asht e madhnueshme si poezi ashtu edhe në prozën përshkruese, tregimtare e parashtruese,
me fuqi burrnore e heroike" dhe që cilësohet si "bomba historike nëpër terrenet mbretnore
të monarkisë sulltanore", që në poezitë e tij "jepte një strukturë zemrake të politikës
shqiptare me një shpirt demokratik të vendosun", Noli kritikohet për përkthimet nga
Shekspiri, sidomos për Hamletin, ku predikohet hakmarrja, për përkthimin e Ibsenit
e të Hauptmanit me burime devijimesh e të sa mendimeve damtuese. Autorë si Koliqi,
Konica, rishtas Noli, kritikohen, për licensiozitet; Konica për stilin fyes plot shamje
e fjalë të ndyta. Vihet në dukje e argumentohet fakti që duhet të shahet e të urrehet
e keqja e jo i keqi, njeriu. Noli kritikohet për "Rubairat" dhe Koliqi për "Shija
e bukës mbrume", "ku ka landë që prishin një popull, tue rritë një rini të prirun
kah instinkte". Ma ashpër se të gjithë shkrimtarët kritikohet Migjeni "si përkrahës
i një bote të pa Zot e i një shoqnije pa religjion". Migjeni, "figura e sëmunrë e
anti-Krishtit në letërsinë tonë", sado që qe një artist i madh origjinal, "me proza
e poezi të dhimbshme që futën në thellësi të fatkeqësive, të mjerimeve tona, por tue
çue kah protesta të rrezikshme, pse për idetë që paraqet autori, damet i sjell të
mëdha, me landë kryesisht pa Zot e mbushë me urejtje kundër klerit katolik. Ka shkrue
me urrejtje kundër motrave, që i kanë sjellë aq e aq të mira të sëmurëve e të vorfënve.
Mjafton me përmendë Nanë Terezen me urdhnat që ka krijue ajo dhe pa lanë mbanesh edhe
murgeshat e spitalit Torre Pelice, që u kujdesën me dashtëni e sakrificë për poetin
e sëmundë. Me këto ide, ai do t'i bante shërbim komunizmit, i cili "do të luftonte
e do të punonte pa asnjë lavdi për të shërue plagët e botës, mbushë me vorfni e shtypje,
por që askush nuk do t'ia shtonte ma randë, ma idhtë, me persekutim të rafinuem e
të parafinuem të vobektëve, të shtypunve e të drejtëve mjerimet me të gjitha format,
për t'u quejtë me të vërtetë komunizëm tanësisht mbrapshti e rrenim". Simbas teologjisë
e moralit kristian të këqijat e vuajtjet e njerëzimit shërohen me ndimën e Krijuesit.
"Letërsia e pame ndryshe2 nuk përfill rrymat letrare: "nuk kemi pasë rryma të
zhvillueme letrare si letërsitë e mëdha të kombeve tjera", "kemi copa rrymash"; por
i njeh letërsisë sonë vetëm një rrymë: atë të realizmit socialist, e cila - si letërsi
e mbështetun në skajin ma negativ të filozofisë, në materializmin dialektik e historik
dhe në ideologjinë marksiste-leniniste, pjellë e tij, - nuk pasqyron të vërtetën,
por e shtrembnon atë. "Në kjoftë se një vepër nuk ka vërtetësi rranjësisht, qëndron
gënjeshtra e, ma tepër se gënjeshtra, dhuna e përzieme me atë, mungon baza e artit,
esenca e tij." - thotë autori. "Veprat e realizmit socialist ngrihen kundër pronës
private, kundër religjionit, kundër jetës njerëzore, familjare, shoqnore, intelektuale,
me diktaturën e egër të luftës së klasave." Prandaj, për hir të talentit, për hir
të mjeshtërisë artistike "nuk duhen vlerësue kurrë veprat e përmbajtjes helmuese".
Kështu kritikohen Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Jakov Xoxe, Dhimitër Shuteriqi,
etj. Permendën si disidentë Trebeshina e Xhaferi; vlerësohet nalt Camaj, me atributin
"fuqia e pendës", i cili në romanin "Rrathët" ka paraqitë "individin në një shoqëni
totalitare, që kalon në tre rrathë: rrathë uji, rrathë zjarri e rrathë gjaku"... Trajtohen
ma ndej një grup shkrimtarësh klerikë mbas diktaturës, si Dom Nikollë Mazreku, Dom
Jak Zekaj, At Zef Pllumi, Mons. Frano Illia, Dom Zef Simoni, që vuejten burgjet komuniste,
por nuk u përkulen dhe i qendruen besnikë besimit dhe atdheut dhe vertetësisë së artit.
Gjithashtu çeken shkrimtarët e burgosun: Musine Kokalari, Pjetër Arbnori, Frederik
Reshpja, Visar Zhit, Maks Velo, Luan Myftiu, si dhe disa shkrimtarë të talentuem të
ditëve tona si Fatos Kongoli, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Besnik Mustafaj. Libri
përfundon me "I persosuni i botës e i gjithçkafes asht Zoti"... * * *Vepra ka
një fizionomi të vetën parashtrimi, që buron nga fakti që nga pena e autorit nuk rrjedh
vetëm gjykimi, analiza e ftohtë e studiuesit; sepse, tue qenë një personalitet i letrave,
penën e ven në lëvizje edhe një forcë tjetër shpirtnore: ndjenja. Gjykim e ndjenjë
përndriten nga ideali. Komentet janë origjinale, hove të fuqishme, të befasishme e
të sinqerta, të indëzueme përherë nga emocione të fuqishme. Po bie një shembull: Në
fillimin e bukolikës së Naimit "Bagëti e Bujqësi": 'O ju malet e Shqipërisë e ju o
lisat e gjatë!' - shkruen autori - na shtohen ndiesitë, kemi një hymen që këndon madhëni
shqiptare e me prirje naltësie, për të cilën kemi aq nevojë. Malet që kanë një bukuri
egërsuese, kanë edhe ajrin e pastër e fuqinë mitike të orëve e të zanave: një pastërti
që të jep mundësi të shofish në thellësi, e sadopak në horizont". Kjo fizionomi
parashtrimi e landës i jep një vulë origjinaliteti bukurie të veçantë stilit të autorit,
i sendërtuem me fraza shpesh të gjata e po aq shpesh edhe të shkurta, shumë herë eliptike.
Do të zgjateshim po të jepshim shembuj. Asht një stil tashma karakteristik, që e dallon
autorin; një stil i konsoliduem, sepse ai e ka përdorë vazhdimisht, edhe në vepra
dokumentare, memoriale e edhe letrare artistike. Ndër shumë elemente të tjerë stilistikë
të shfrytëzuem mjeshtërisht, më vjen mbarë të dalloj përdorimin e dendun të shkallëzimeve,
aliteracioneve dhe esklamacioneve në funksion të sqarimit e të përforcimit të idesë,
thellimit dhe shtrimjes së ndjenjës. Jo vetëm frazat e shkurta e të randueme nga mendimi,
po edhe të gjatat, jo rrallë i japin stilit ngjyra sentence: "Arti për të ekzistue
duhet të japë vlerat poiztive të kohës", "Artisti i përkryem në ekzistencë asht Zoti",
"Ideali ma i zgjedhun në botën e fajeve asht ai i pendimit rranjësuer. Njeriu i papenduem
nuk ka njohje të hapun, as ecje e jo udhë zhvillimi. Udha e zhvillimit ka horizontet
e veta, që shkojnë shumë thellë: thellësi të pastërta e bukuri sublime, që i përkasin
idealeve ma të nalta të njofjes", "bashkimi, që fillon me mirëkuptim, duhet të arrijë
te harmonia. Ma vonë vjen uniteti që asht maja e dukshme e suksesit". Ky stil
origjinal e gjen veten sidomos në përcaktimet e veprave, në karakterizimet e personaliteteve
të letrave, të situatave dhe të fakteve të veçanta, me anën e fjalive të shkurta,
zakonisht eliptike, me epitete e atribute, të veshuna aty-këtu me një rrobë të mëndafshtë
metaforike, që shkojnë crescendo, me përsëritje në përforcim e sqarim të ideve, etj.
Ja një fragment nga karakterizimi i Fishtës: "…Talent mbi talent. Asht i dashtun,
i rreptë, i fuqishëm, mendimtar, meditativ, i gojës, i zemrës, energjik, i shiut të
butë, i reve të zeza, i rrufeve e i bubullimave, e i qiellit, i qiellit të kaltër
në hapsinat shqiptare, i pavdekshëm edhe mbas deke, monument në vorr edhe kur eshtnat
e tij të jenë tretun…", "Në pikapamje artistike asht i veçantë: asht një thellësi,
naltësi, shtrisi me një ushtimë, me krizëm dhe me tinguj melodiozë…." . Vepra lexohet
me kënaqësi e shije për stilin; me interes për idetë origjinale, për mënyrën e trajtimit
të landës dhe përfundimet e arrituna; me kërshëri për komentet, vlerësimet e sidomos
për tehun e kritikës; me përfitim e dobi si një pamje e veçantë, e ndryshme, e letërsisë
sonë. Edhe pse e shkrueme nga një meshtar katolik, ajo lexohet me andje nga çdo njeri
i zakonshëm, i çdo besimi qoftë; mjafton që për te "nuk ka ideal ma të naltë se me
njoftë Zotin, me pranue qenien e Tij, se me e dashtë Zotin, me i shërbye e me jetue
për Atë". Sepse, "me njoftë qenien e mbinatyrshme - thotë autori - asht në natyrën
njerëzore."