2008-12-03 11:31:33

Audienca e Papes 26 nenetorit: Feja e vërtetë bëhet dashuri vepruese


(26.11. 2008 RV) Të dashur vëllezër e motra,
Në katekizmin e së mërkurës së kaluar shpjegova se si njeriu mund të bëhet i drejtë përpara Hyjit. Duke ndjekur Shën Palin, pamë se njeriu nuk mund të bëhet ‘i drejtë’ përmes veprave të veta, por mund të bëhet vërtetë i drejtë para syve të Hyjit, vetëm sepse Hyji i jep ‘drejtësinë’ e vet duke e bashkuar me Krishtin, Birin e tij. E këtë bashkim me Krishtin njeriu e fiton përmes fesë. Në këtë kuptim Shën Pali thotë: jo veprat tona, por feja na bën të ‘drejtë’. Por kjo fe nuk është një mendim, një opinion, një ide. Kjo fe është bashkim me Krishtin, që na e dhuron Zoti e që prandaj bëhet jetë, bëhet bashkim me Të. Ose, me fjalë të tjera, feja, në se është vërtetë reale, bëhet dashuri, bëhet bamirësi, shprehet në bamirësi. Feja pa bamirësinë, pa këtë fryt, nuk do të ishte fe e vërtetë. Do të ishte e vdekur.

Në katekizmin e fundit spikatën dy nivele: ai që nuk i vlerëson aq sjelljet tona, veprat tona, për arritjen e shëlbimit e ai ‘i shfajsimit’ përmes fesë që jep fryte të Shpirtit Shenjt. Ngatërrimi i këtyre dy niveleve shkaktoi, në rrjedhë shekujsh, jo pak keqkuptime në gjirin e krishterimit. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që Shën Pali në Letrën drejtuar Galatëve, nga njëra anë vë theksin, në mënyrë të prerë, mbi faktin se shfajsimi na jepet falas, jo për veprat tona, por edhe që, në të njëjtën kohë, nënvizon lidhjen ndërmjet fesë e bamirësisë, ndërmjet fesë e veprave: “Në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por feja që vepron në dashuri”. (Gal 5,6). Si pasojë, në njerën anë janë ‘veprat e mishit e të gjakut’: kurvëria, flligështia, liria pa fre, idhujtaria, shortitë, armiqësitë, grindjet, zilia, mosmarrëveshjet, dasitë, tarafet, sëmira, të dehurit, grykësia e vese të tjera kësisoji (Gal 5, 19-21): të gjitha vepra që i bien ndesh fesë; nga ana tjetër, kemi veprimin e Shpirtit Shenjt, që e ushqen jetën e krishterë, duke frymëzuar dashurinë, gëzimin, paqen, duresën, bujarinë, dashamirësinë, mirësinë, besnikërinë, ëmbëlsimin, përkurmërinë” (Gal 5, 22); e këto janë frytet e Shpirtit që lulëzojnë në fe.

Në krye të kësaj liste virtytesh citohet agape, dashuria, e në përfundim, përkurmëria apo zotërimi i vetvetes. Në të vërtetë, agape, dashuria e Atit dhe e Birit, ndikohet ndër zemra tona nëpërmjet Shpirtit Shenjt (cfr Rom 5,5); e agape, dashuria, për t’u shprehur plotësisht, kërkon zotërimin e vetvetes. Dashurinë e Atit e të Birit, që na pushton e e shndërron krejt jetën tonë, deri në thellësi, e trajtova në Enciklikën time të parë Deus caritas est. Besimtarët e dinë se në dashurinë e anasjelltë mishërohet dashuria e Hyjit dhe e Krishtit, përmes Shpirtit Shenjt. Rikthehemi tek Letra drejtuar Galatëve. Këtu Shën Pali i këshillon të krishterët t’ia mbartin barrët njëri-tjetrit, sepse kështu çojnë në vend urdhërimin e dashurisë (cfr Gal 6,2). Të shfajsuar përmes dhuratës së fesë në Krishtin, jemi të thirrur të jetojmë në dashurinë e Krishtit për të afërmin, sepse pikërisht mbi bazën e këtij kriteri do të gjykohemi në fund të jetës sonë. Në të vërtetë Pali nuk bën tjetër, veçse të përsëritë atë, që pati thënë vetë Jezusi e që na e propozoi Ungjilli i së dielës së kaluar në shembëlltyrën e Gjyqit të Mbramë. Në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, Shën Pali i kushton dashurisë himnin e tij të famshëm: “Edhe po të flisja gjuhët e njerëzve e të engjujve, por po të mos kisha dashurinë, do të isha si një bronx që kumbon, si një çembal që tingëllon… Dashuria është e durueshme, është e mirë dashuria; nuk është smirzezë dashuria, nuk mburret, nuk fryhet, nuk mungon në respekt, nuk kërkon leverdinë e vet, nuk zemërohet, nuk e mba në mend të keqen që i kanë bërë!... (1 Kor 13, 1.4-5). Dashuria e krishterë është tepër kërkuese, sepse buron nga dashuria e plotë e Krishtit për ne: është dashuri që ngulmon, që na pret, na përqafon, na mbështet deri në tronditje, pse e detyron secilin nga ne të mos jetojë më për vetveten, i mbyllur në egoizmin e tij, por për ‘Atë që vdiq e u ngjall për ne”(cfr 2 Kor 5,15). Dashuria e Krishtit na bën të jemi në Të ajo krijesë e re (cfr 2 Kor 5,17), e cila hyn e merr pjesë në Korpin e Tij mistik, që është Kisha.

E parë në këtë këndvështrim, qendërsia e shfajsimit pa veprat, objekt kryesor në predikimet e Palit, nuk i kundërvihet fesë që vepron përmes dashurisë; përkundrazi kërkon që vetë feja jonë të shprehet në një jetë të jetuar sipas frymëzimit të Shpirtit Shenjt. Shpesh u vërejt një kundërvënie e pathemeltë ndërmjet teologjisë së Shën Palit e asaj të Shën Jakobit, i cili në Letrën e tij, shkruan: “Sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur” (2,26). Në të vërtetë, ndërsa Pali shqetësohet kryesisht për të dëshmuar se feja në Krishtin është e nevojshme dhe e mjaftueshme, Jakobi vë theksin mbi lidhjen rrjedhimore ndërmjet fesë e veprave (Jak 2,2-4). Prandaj si për Palin, ashtu edhe për Jakobin, feja që vepron përmes dashurisë, dëshmon se shfajsimi në Krishtin është dhuratë e Zotit për njeriun. Shëlbimi, i marrë nga Krishti, duhet ruajtur e duhet dëshmuar “me respekt e me druajtje. Është vetë Zoti ai që ngjall në ju vullnetin të punoni sipas planeve të tij të dashurisë. Bëjeni gjithçka pa mërmëritur e pa ngurruar... duke e mbajtur lart fjalën e jetës”, do t’u thotë atëhere Shën Pali të krishterëve të Filipit (cfr Fil 2,12-14.16).

Shpesh herë priremi të biem në të njëjtat keqkuptime, që vëreheshin në bashkësinë e Korintit: këta të krishterë, me që ishin shfajsuar falas në Krishtin përmes fesë, mendonin se ‘u lejohej gjithçka’. E mendonin, madje shpesh duket se mendojnë edhe të krishterët e sotëm, se u lejohej të krijonin përçarje në Kishë, në Korpin e Krishtit, të kremtonin Eukaristinë pa farë kujdesi për vëllezërit më nevojtarë, të dëshironin karizma më të mira, pa marrë parasysh se janë gjymtyrë të njëri-tjetrit, e kështu me radhë. Shkatrrimtare janë pasojat e një feje, që nuk mishërohet në dashuri, sepse një fe e tillë kthehet në arbitraritetin e në subjektivizmin më të dëmshën për ne e për vëllezërit. Përkundrazi, duke ndjekur Shën Palin, duhet të rifitojmë vetëdijen se pikërisht nga që shfajsohemi në Krishtin, nuk i përkasim më vetvetes, por bëhemi tempull i Shpirtit Shenjt, e jemi të thirrur ta lumnojmë Hyjin në korpin tonë me gjithë jetën (cfr 1 Kor 6,19). Do të ishte njëlloj si ta shisnim lirë vlerën e paçmueshme të shfajsimit në se, pasi u blemë me çmimin e lartë të gjakut të Krishtit, nuk do ta lumnonim në korpin tonë. Në të vërtetë, ësht, ky kulti ynë, ‘i arsyeshëm’ e njëkohësiht ‘shpirtëror’, për të cilin Shën Pali na këshillon ta falim trupin tonë porsi flije të gjallë, shenjte e të pëlqyeshme para Hyjit (Rom 12. 1).
Ç’vlerë ka një liturgji, që i drejtohet vetëm Zotit, pa u bërë, njëkohësisht, shërbim për vëllezërit, e një fe, që nuk shprehet në dashuri e në bamirësi? E Apostulli u kujton shpesh bashkësive të tij se gjithsa jemi, “do të paraqitemi para gjykatores së Krishtit, kështu që secili të marrë shpërblimin për veprat e bëra ndërsa gjindej në korp, si në të mirë, ashtu edhe në të keq” (2 Kor 5,10; cfr edhe Rom 2,16). E ky mendim i Gjykimit duhet të ndriçojë jetën tonë të përditshme.

Etika që u propozon Pali besimtarëve, nuk bie në forma moralizmi e mbetet përherë aktuale, sepse ai niset gjithnjë nga lidhja e personale e komunitare me shfajsimin në Krishtin, që vërtetohet në jetë sipas frymëzimit të Shpirtit Shenjt. Etika e krishterë nuk lind nga një sistem urdhërimesh, por është pasojë e miqësisë sonë me Krishtin. Kjo miqësi na dëshmon se jeta e fesë është e vërtetë, në se mishërohet e realizohet në dashurinë për të afërmin. Ta lemë, pra, veten, të pushtohemi nga fryma e pajtimit, që na dhuron Hyji në Krishtin, nga dashuria ‘e çmendur’ e Zotit për ne: asgjë e askush nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Tij (cfr Rom 8,39). Me këtë siguri jetojmë. Është kjo siguri që na jep forcë ta jetojmë konkretisht fenë që vepron përmes dashurisë e që na krijon kushtet për të dhënë fryte të vërteta të Shpirtit Shenjt.







All the contents on this site are copyrighted ©.