2008-12-02 17:34:29

Imzot Tomazi: Palët në konflikt në Kongo të respektojnë armëpushimin e bashkësia ndërkombëtare të mbajë qëndrim të qartë për të bllokuar dhunën.


(03.12.2008 RV)Selia e Shenjtë dënon shkeljet e rënda në shkallë të gjërë të të drejtave njerëzore në Republikën Demokratike të Kongos dhe u kërkon palëve në konflikt të respektojnë armëpushimin e arritur. Këtë pohoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, në fjalimin e mbajtur gjatë sesionit të posaçëm të Këshillit të të Drejtave të njeriut, mbledhur këto ditë në Gjenevë. Kjo që po ndodh në Veri të Kivu – pohoi prelati – është një çështje për të cilën bashkësia ndërkombëtare nuk mund të heshtë, por duhet të shprehet me qartësi.
 Selia e Shenjtë shqetësohet seriozisht për dhunën, që po krijon përsëri në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos skenën e tmerreve të një historie jo shumë të largët në kohë e sigurisht, tepër të gjallë në kujtesën e banorëve. Vrasje, përdhunime, tortura, trajtime mizore, plaçkitje, rekrutim i detyruar i fëmijëve, dy milionë të shpërngulur, 200 mijë prej të cilëve të detyruar të fshihen pyjeve, në sa askush nuk e di në ç’kushte jetojnë, në se vijojnë të jenë gjallë. Prandaj imzot Tomazi kërkoi me forcë nga Këshilli për të Drejtat e njeriut i OKB-së në Gjenevë, ta nxisë bashkësinë ndërkombëtare t’i dënojë këto mizori, dënim që Selia e Shenjtë e bëri qartë me zërin e përfaqësuesit të saj, duke denoncuar edhe trafikun e armëve e, posaçërisht, të armëve të kalibrit të vogël e të armëve të lehta, që vijon në Republikën Demokratike të Kongos. Ky trafik – nënvizoi imzot Tomazi – e thellon më tej ushtrimin e dhunës dhe kërcënon jetën e paprekshmërinë e një numri të papranueshëm njerëzish të pafajshëm.
Prelati kujtoi edhe thirrjen e Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kur zëri i Papës u ngrit përsëri, në një lutje të dalë nga zemra, për viktimat e kësaj toke të mbytur në gjak, që kërkon heshturazi ndihmë, për t’i dhënë fund martirizmit të saj.

Nga zona kongoleze të Veriut të Kivusë – tha Papa – vijojnë të arrijnë lajme shqetësuese, që flasin për ndeshje të përgjakshme të armatosura e mizori sistematike, me viktima të shumta ndërmjet civilëve të paarmatosur e të pafajshëm. Shkatërrimet e dhuna e të gjitha tipeve i detyruan dhjetra mijëra njerëz të braktisin edhe atë pak gjë që kishin për të mbijetuar. E duke pasur parasysh këtë skenë dramatike, Benedikti XVI ngriti zërin për të kërkuar paqe për banorët e kësaj zone të mbytur prej kohe në gjak:

“Të gjithëve e secilit prej tyre, dëshiroj t’u shpreh afërsinë time të veçantë, ndërsa u jap zemër e i bekoj ata që po punojnë për t’ua lehtësuar vuajtjet, ndërmjet të cilëve përmend posaçërisht veprimtarët baritorë të kësaj Kishe vendase (…). Së fundi, përsëris thirrjen që të gjithë të bashkëpunojnë për rikthimin e paqes në këtë truall të martirizuar prej kohe, duke respektuar ligjshmërinë e sidomos, dinjitein e çdo njeriu”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.