2008-12-01 18:20:26

Shenjti i ditës 1 dhjetor: Shën Naumi profet.


(01.12.2008 RV)RealAudioMP3 Libri biblik, që njihet si i Naumit profet e që është i 41-ti i Besëlidhjes së Vjetër, vjen menjëherë pas atij të Mikesë e i paraprin Librit të Abakukut.
Rreptësia me të cilën shprehet Naumi, buron nga mendësia e nga atmosfera e Besëlidhjes së Vjetër. Për këtë profet, që njihet si i shtati ndërmjet Profetëve të vegjël, dihet pak e aspak. Nuk dimë me siguri kur, ku e si jetoi. Mendohet të ketë lindur në gjysmën e shekullit VII para Krishtit, ndoshta në kohën ndërmjet rënies së Tebës (663 p. K.) e të Ninives (612 p K.) në duart e ushtrive babiloneze e persiane. Sipas Shën Jeronimit, duhet të ketë lindur në fshatin Elkos të Galilesë. Në Librin e tij profetik, me tre kapituj, ai përshkruan rrenimin e kryeqytetit asir Ninive, rënë në vitin 612 p.K. pas sulmeve të mbretit të Medëve Ciasarit e të Nabukodonozorit, themelues i dinastisë së re babiloneze.
Kënga profetike e Naumit i kushtohet krejtësisht rënies e rrënimit të Asirisë, kundërshtares së madhe të Izraelit. Profeti i bën një gjëmë sarkastike, duke u shtirë sikur qan e mba zi për këtë fund. Ndërsa në të vërtetë ironizon e shpreh kënaqësinë e tij të thellë për këtë vepër drejtësie, të kryer nga dora e Zotit, kundër një armiku kaq të egër e mizor, nën thundrën e të cilit kishte vuajtur aq shumë Izraeli.
Me këtë këngë, rënia e Ninives bëhet simbol i fitores së madhe të Hyjit mbi të keqen, gjë që ngjall shpresa të reja në zemrën e njerëzve të shtypur të të gjitha kohëve, sepse në rënien e Ninives, shikojnë qartë se heret a vonë, dora e Zotit do të rëndojë mbi çdo të keqe, që mundon njeriun e drejtë.
Ashtu ndodh edhe me Teben, qytetin gjakatar, që u ngrit mbi gjak e u mbyt në gjak.
Në përfundim Naumi profetizon: “Nuk mund të ndërtohen mbretëri të qëndrueshme mbi bazën e forcës, të prepotencës, të mbrapshtive, sepse Zoti është i ngadalshëm në zemërim, por në fund të fundit i ndeshkon me krah të shpërvjelur të gjithë ata, që guxojnë t’i kundërvihen urdhërimeve të Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.